10 cm borë paralizoi Shkodrën, kryetarja Ademi pa asnjë plan konkret. Ja ku i çoi lekët për emergjencat

52.139 milion lekë ishte fondi i emergjencave që bashkia Shkodër parashikoi për 2018-en dhe vetëm me 2 milion më shumë, 54.371 milion e shtoi këtë zë në buxhetin e 2019-es, vit që sapo ka nisur. Por ashtu si çdo vit, herë me përmbytje dhe herë me bllokime e ngrica nga dëbora, kjo njësi vendore ndodhet thuajse përherë në emergjencë. E për fat të keq këtë gjë nuk e reflekton në zërin buxhetor, ku vijon ti mbetet besnike përcaktimeve të kuotës minimale që parashikon ligji, ndërsa fryn orekset buxhetore të shërbimeve sociale, apo sektorëve të tjerë në bashki, që nuk dihet se ku i orientojnë paratë që marrin.

Një problematike që në fakt është shoqëruar me kritika të vazhdueshme nga ministritë e linjës, por edhe nga prefektura përmes ekspertëve të saj, në momentin që ka analizuar buxhetin. Megjithatë prefekti i Shkodrës ka qene i gatshëm t’ia hedhë firmën buxheteve çdo vit, e kështu ka bërë edhe këtë herë, ndërsa Ademi i kanë mjaftuar apo jo paratë për 365 ditët e vitit për këtë sektor, nuk është shqetësuar shumë, sepse ka ndërhyre si, sa dhe ku ka dashur.

Në shkelje të plotë të ligjit kryebashkiakja madje ka shkuar deri aty sa ka shfrytëzuar në formën më të shëmtuar punonjësit e bashkisë dhe institucioneve të varësisë për pastrimin e rrugëve në gjithë këtë periudhë, pa patur një kontratë me to, por duke i hequr nga puna për të cilin paguheshin, e për t’iu vënë kësaj të fundit nën urdhëra për pastrim bore, kriposje, e kur është dashur në përmbytje për të kryer punë të tjera që emergjencat i kanë në zë të veçantë dhe duhen parashikuar që pa nisur viti kalendarik.

Shuma qesharake që kryetarja e bashkisë Shkodër Ademi edhe këtë vit ka vendosur për emergjencat, në 90% të saj shkon për paga dhe sigurime dhe vetëm një shumë e vogël që varion nga 8 në 10 milion shkon për ndërhyrje konkrete. E sikur të mos mjaftonte gjithë kjo paaftësi menaxhimi dhe keqshfrytëzimi të punonjësve, ajo bëhet një me firmat e kontraktuara, që pasi i merr për ti kryer shërbime, më pas u firmos faturat siç ato i kërkojnë, pa pyetur për punën konkrete të bërë në terren, e pa patur një plan të mirëfillte që nuk do ta linte Shkodren në gjysëm të paralizuar me vetëm 10 apo 15 cm dëborë të rënë.

Tashmë do të duhet vetëm të presim se sa do të jetë në fund fatura që do të deklarohet nga shpenzimet e kryera prej titullares së bashkisë, e cila në gjithë këto ditë nuk i është ndarë propagandës në “facebook” e media të caktuara, për ta shitur si sukses përballimin e emergjencës nga dëbora. Por se sa sukses ka patur, më mirë se askush ja kanë dhënë vlerësimin qytetarët!/ShkodraNews