“3 minuta në skenë për të mos kënduar 37 vjet”. Historia e muzikantit shqiptar do ju lërë pa fjalë

Dorjan Nini një nga kompozitorët dhe këngëtarët shqiptarë që pjesëmarrja në festivalin e 11-të i ka kushtuar shumë. Ai ka qenë një prej të ftuarve të emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, ku ka rrëfyer vështirësitë pas pjesëmarrjes në këtë festival në vitin 1972.

Ai tregon se pas përfundimit të shkollës, u emërua në Mirditë ku qëndroi për 8 vite dhe u mor me muzikë, por emri i tij nuk bëhej publik për shkak të biografisë.

“Unë bëja ushtrinë në Ansamlin e Ushtrisë dhe duke qenë se e drejta e studimit nuk më doli për shkak të biografisë dhe për arsye që dihen. Unë isha violinist në Ansambël dhe rastësisht kur unë mora pjesë në kompleksin e grupit të Aleksandër Lalos më ofruan këngën e Çesk Zadejës. E mora me të vërtetë me dëshirë sepse ishte një këngë me motive popullore të cilën unë u mundova ta trajtoj më ndryshe. Nuk kisha kënduar ndonjëherë ishte prova e parë në skenë dhe për çudinë time ky festival ishte me shumë të papritura. Ndërkohë që jashtë kritikoheshin për veshjet e huaja, në atë festival kërkohej që gjithçka të ishte moderne. Si i ri që isha nuk mund të mendoja se ishte një kurth i parapërgatitur që të merte viktimat edhe në art në festivalin e 11-të.

Në këtë festival muzika ishte tepër e kontrolluar dhe nuk ishte jashtë normave. Nuk kishte këngë për partinë, por kjo nuk përbënte problem. Kontrasti i madh i skenës dhe ambientit të jashtëm ku jetonin këta njerëz ishte që të reflektonin përmes paraqitjes skenike sepse ana melodike ishte brenda normave. Dhe goditja erdhi pikërisht nga veshjet e moda sepse popullit i bëri shumë përshtypje. Por ndërkohë që partia kritikonte festivalin, fëmijët e tyre në Bllok ishin edhe më modernë dhe kalonin para “hundës” së diktatorit.

Për fat unë isha shumë i ri dhe sapo kisha dalë në skenë. Në atë periudhë isha në Ansambël të Ushtrisë , më pas vazhdova konservatorin dhe pas mbarimit dihej që dosja ishte e hapur dhe u emërova në Mirditë ku qëndrova 8 vite dhe u mora me muzikë. Por ishte shumë e vështirë, duke qenë se kisha babain, xhaxhain dhe të tjerë në burg nuk më lejohej që të dilte emri. Kishte raste që dilte kënga por nuk dilte emri i kompozitorit. Më vjen keq për ato vite, por jam i lumtur sepse brezi tani mund të këndojnë si të duan”, tha Nini.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv.