Arbër Hajdari “shokon” me deklaratën: Kanë vjedhur para në emër tim

Arbër Hajdari është një nga persona i cili ka si profesion të tij bamirësinë.

Ndoshta të gjithëve na ka rastisur që në rrugë të hasim persona që mbledhin para’ për bamirësi. Ajo që duhet të dimë është se një pjesë e madhe e tyre nuk janë veçse mashtrues që përdorin deri edhe emra shoqatash.

Një denoncim i tillë vjen nga Arbër Hajdari. Ai është themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, një nismë që u ka ardhur në ndihmë dhjetra familjeve të varfra falë donacioneve të shqiptarëve nga mbarë bota.

“Janë një grupim njerëzish të caktuar që përfitojnë nga emri i fundjavës për të grumbulluar para’. Abuzimet fillojnë që në rrjetet sociale, ku përdoren emrat tanë duke grumbulluar para “online”. Ne kemi arritur t’i kapim, pastaj kemi persona që ndalojnë në rrugë, plazhe, komunitete të ndryshme. Kjo bëhet në gjithë Shqipërinë dhe kemi marrë denoncime nga njerëzit, u kemi bërë presion se do i çojmë në prokurori dhe tani po mendojmë t’i çojmë në prokurori”, denoncon Arbër Hajdari i “Fundjavë Ndryshe”.

Shumat e mëdha të parave që gjenerohen për bamirësi kanë nxitur mashtruesit të aktivizohen shpesh deri edhe në grupime në formë organizate që objektiv kanë interesin personal. Për mbledhjen e fondeve ata përdorin minorenë.

“Skema është kopjuar nga modeli i fundjavës, që bëhet në përmasa mediatike ose jo për të cilën gjenerojnë fonde për bamirësi dhe realisht nuk e finalizojnë bamirësinë”, tregon Arbër Hajdari.