Ardit Gjebrea mesazh Erionit pasi u bë kryetar Bashkie: Kam një amanet, pisllëku nuk do jetë më i tij, por i yti

Më 30 qershor, aktori i njohur Erion Isai u zgjodh kryetar bashkie në Kolonjë, në vendlindjen e tij.

Tashmë ai është transferuar së bashku me familjen për të jetuar atje, duke u larguar nga Tirana dhe duke dhënë dorëheqjen nga televizioni “Klan” dhe Teatri Kombëtar i Kukullave.

Së fundmi, Erioni ka bërë një postim në profilin e tij në “Instagram”, ku ka falenderuar njerëzit që e ndihmuan që të shënjonte në karrierën e tij artistike.

Në shkrimin krahas fotos ku ka vendosur njerëzit që e ndihmuan dhe ai i vlerëson, Isai shpreh një vlerësim dhe falenderim të veçantë për Altin Bashën, Ardit Gjebrean dhe vëllain, siç e quan Bes Kallakun.

“Faleminderit që më ndriçuat! 🙏❤

Janë njerëzit që kanë shenjuar rrugën time artistike që 15 vjeç. Me ❤ faleminderit!

Për të veçuar Altin Bashën, për të artën mundësi, Portokallinë, dhe Ardit Gjebrea për besimin e skenarit dhe bashkëpuntorit të kënga magjike, dhe E diela Shqiptare. E sigurisht kolegun, vëllain tim, prej 12 vjetësh, Bes Kallakun! Unë nuk do të kem angazhim artistik në televizion në sezonin e ri (ndërsa lejen vjetore sigurisht që do ta shfrytëzoj për teatër 😀) . Nuk e di nëse vërtet puna e përkushtimi im ka qenë këto vite më e mira, por di se puna me këta njerëz më ka bërë më të mirë!”, shkruan aktori i njohur.

Moderatori i dashur për publikun shqiptar, Ardit Gjebrea, ka vendosur që t’i japë një këshillë publikisht Erionit për përfshirjen e tij në politikë tashmë.

Arditi e këshillon të mos fyejë publikisht dikë me të cilin mund të bëjë aleancë të nesërmen.

“I dashur @erion_isai jam shumë i lumtur që kemi punuar bashkë dhe uroj të ndodhë përsëri. Tani një rrugë e re të pret dhe me shuuumë përgjegjësi, por vetëm një amanet kam meqë je në fillim (se mos harroj të ta them kur të shihemi): Mos fyej rëndë publikisht dikë me të cilin mund të bësh aleancë nesër dhe mos trego sa pis është dikush që do ta përqafosh nesër, sepse pisllëku nuk do jetë më i tij, por i yti! #besojtekti”, i përgjigjet Gjebrea.

Ndërkohë Erioni i përgjigjet: “Mik i rrallë”, duke e shoqëruar edhe me një emoji zemër.