Bastet u mbyllën, por Dritan Shakohoxha tregon kompanitë që po bëjnë namin në Shqipëri

Komentatori i njohur sportiv, Dritan Shakohoxha thotë se, në vendin tonë janë mbyllur pikat e basteve, por ende luhen skedina. Drejtori i “Supersportit”, ka zbuluar se në Shqipëri vazhdon të luhet bixhoz pavarësisht se pikat e basteve janë mbyllur.

“Lokalet ku viheshin baste vetëm sa kanë hequr tabelat dhe vazhdojnë punën si më parë. Luhet njësoj si më parë. Kanë hyrë kompani ruse të fuqishme në tregun shqiptar. Kanë bërë faqet e tyre në shqip”, u shpreh Shakohoxha.

Sipas një vëzhgimi të “Top Channel” rezulton se faqet e internetit të të paktën dy kompanive shqiptare të basteve vijojnë të jenë aktive. Bllokimi i faqeve të huaja të basteve është i pamundur, për shkak të mundësive të pafundme që ofron teknologjia.