Bushati: Nuk jemi të kënaqur me rilindjen urbane në Shkodër

Sot në Shkodër ka mbërritur kryeministri Edi Rama.

Ish-ministri i Jashtëm dhe aktualisht deputeti i PS-së, Ditmir Bushati në kuadër të turit “Bashkia që duam” nga Shkodra u shpreh se sot për sot qyteti verior ndodhet shumë larg “Shkodrës që duam”.

Bushati tha se përgjegjësinë ekskluzive për këtë e ka PD, por edhe PS, ndërsa theksoi se edhe me rilindjen urbane nuk janë të kënaqur.

Ditmir Bushati: Shkodra që duam është shumë larg Shkodrës që është sot për sot. Këtu nuk diskutohet që përgjegjësinë ekskluzive e ka PD, por edhe ne kemi përgjegjësitë tona. Grupi i deputetëve, qeveria jonë, përfaqësuesit tanë në pushtet vendor në struktura të ndryshme. Nuk jemi të kënaqur me atë çka kemi bërë për Shkodrën me rilindjen urbane. Pavarësisht që Shkodra ka stadium, stadiumi nuk është kthyer në ekonomi vendore, për qytetin. Pavarësisht se këtu kanë ardhur yje të botës për të luajtur futboll me kombëtaren shqiptare, apo me kombëytaren e Kosovës. Kemi bërë disa investime të tjera rreth e përqark, aty ku është përgjegjësia jonë. Por në çdo lagje dhe familje ndjej të njëjtën kërkesë. Nevojën dramatike për më shumë investime.