Çfarë po ndodh në Mesdhe? Amerika i tregon forcën Rusisë me arsenal të rëndë

Situata nuk duket aspak e qetë.

Për herë të parë pas 3 vjetësh SHBA-të dërgojnë në Mesdhe dy aeroplanmbajtëse bërthamore USS Abraham Lincoln dhe USS John Stennis, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni nuk do të bëjë kurrsesi një hap pas në këtë zonë të rëndësishme gjeopolitike.

Si rrallëherë, në bordin e flotës ushtarake u ngjit edhe ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, një mesazh i qartë ky për Moskën.

“Kur ke 200 mijë ton diplomaci që përshkon Mesdheun, kjo që unë quaj dipomaci, është diplomaci me mbështetje taktike ushtarake, asgjë tjetër nuk duhet shtuar”.

E gjithë kjo lëvizje, në një zonë ku Rusia ka rritur fort kërcënimin ushtarak, duke vendosur veçanërisht në brigjet siriane, luftanije dhe nëndetëse me raketa të telekomanduara.

Zhvendosja e armatës së rëndë amerikane në Mesdhe vjen një muaj para programit të gjerë stërvitor të NATO-s në Maqedoninë e Veriut, vend i cili pritet të anëtarësohet në këtë aleancë. Komanda amerikane në Europë e drejtuar nga Gjeneral Curtis Scaparroti, do të zhvillojë operacionin “Guardian Angel” apo “Engjëlli Mbrojtës”.