Çfarë tha në intervistën e fundit dëshmitari kyç i “Gërdecit”, Kosta Trebicka dhe takimi me Shkëlzen Berishën

Ai ishte dëshmitari i kyç i skandalit më të madhe ndër vite i Shqipërisë që mori edhe jetë njerëzish. Por për të mbuluar gjithçka Kosta Trebicka u eleminuar në një mënyre krejt mafioze sikurse në filma. Redaksia e Pamfletit sjell në kohë intervistën e tij të fundit, teksa ka fluar për takimin me Shkëlzen Berishën dhe sot e kësaj dite ende nuk janë zbardhur tabulatet telefonike të Shkëlzen Berishës, Mihal Delijorgjit, Fatmir Mediut dhe Aldo Bumçit

Shkrimi i plotë i Pamfleti:

Kosta Trebicka ishte dëshmitari kyç i biznesit të familjes së Sali Berishës në Gërdec, në shërbim të të cilit ishin vendosur ministra, drejtorë dhe çdo shërbëtor i pushtetit të Sali Berishës. Fakti që Edi Rama i rrahu shpatullat Berishës për hedhjes në erë të fshatit dhe vdekjes së 28 njerëzve, kishte të bëntë me implikimin e një biznesmeni në Gërdec që kishte lidhjet klinteliste me Edi Ramën. Shumë i dyshimtë mbetej edhe roli i Shkëlzen Berishës në biznesin e vdekjes së Gërdec, i cili urdhëronte ish-ministrat Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçin, ndërsa është denoncuar se ka kërcënuar edhe ish-gjeneralin Luan Hoxhën, i cili kërkoi strehim tek Ambasada Amerikane.

Por, Shkëlzen Berisha është takuar edhe me Kosta Trebickën, dëshmitarin kyç të skandalit kriminal, i cili u eliminua disa javë më vonë, nga disa njerëz të besuar të Sali Berishës, në fushat e Voskopojës, teksa po “gjuante shpendë”. Është folur shumë pak për takimin e Shkëlzen Berishës me Kosta Trebickën, ndërsa biseda e zhvilluar mes tyre vijon të mbetet e errët. Po si u zbulua takimi i Shkëlzenit me Kosta Trebickën dhe ç’donte i biri i ish-kryeministrit të takohej me biznesmenin që bënte ambalazhimin e municioneve kineze, duke i ndryshuar etiketën, për t’u trafikuar më pas drejt vendeve të luftë dhe nën embargon e Organizatës së Kombeve të Bashkuara? Vetë Kosta Trebicka, në intervistën e tij të fundit, ka konfirmuar një takim me Shkëlzen Berishën, ndërsa duket se ka fshehur të vërtetën e bisedës.

“Me Shkëlzen Berishën jam takuar, pasi e kam kërkuar unë që të takoheshim, pas zërave që qarkulluan. I thashë që emri i tij ishte përdorur në këtë takim, por z. Shkëlzen më tha që nuk ishte takuar me asnjërin prej personazheve. Aty ndodhi që Shkëlzeni më kërkoi ballafaqim qoftë me Diverolin, qoftë me Aleksin, sepse ishte i sigurt që ishte i pafajshëm. Unë e besova që ishte i pafajshëm dhe nuk i rashë mbas këtij muhabeti”, ka deklaruar Kosta Trebicka. Ndërkaq, Shkëlzen Berisha, deri kur u zbardhën dëshmitë, pati mohuar kategorikisht çdo kontakt dhe njohje me Trebickën, Diverolin dhe aktorët të tjetër të Gërdecit. Po ashtu, prokuroria nuk ka zbardhur tabulatet e bisedave telefonike midis Shkëlzen Berishës dhe Mihal Delijorgjit. Të gjitha këto fakte tashmë janë një provë e fortë për SPAK-un./Pamfleti

Intervista e fundit e Kosta Trebickës

-Z. Trebicka, cili ishte roli juaj kontratën që kompania AEY kishte me MEICO-n për furnizimin me municion të ushtrive aleate në Afganistan?

Mua më ka marrë në telefon përfaqësues i firmës amerikane AEY në fillim të prillit 2007 dhe më thotë që më kishin zgjedhur mua si nënkontraktor për të paketuar materiale, të cilat do të dërgoheshin në Afganistan. Tenderi 300 milionë dollarë është fituar qeverinë amerikane nga “BETA” kompani që ia ka dhënë më pas AEY si nënkontraktore, për të blerë municion në vendet e lindjes.

 -Pasi u kontaktuat nga kompania amerikane, cilat janë kontaktet tuaja me Ylli Pinarin?

Pasi u përzgjodha nga amerikanët në bazë të të gjithë dokumentacionit, ky dokumentacion përfshinte në radhë të parë prokurën e përfaqësimit, domethënë, që unë ta përfaqësoja kompaninë në marrëdhënie me MEICO-n. Zotit Pinari i vajta me prokurorë në dorë nga AEY, për të paketuar municionet, të cilat ishin fishekë kallashnikovi për t’i çuar Afganistan. Nga ana e tij, zoti Pinari më paraqiti një kontratë, ku unë duhet të firmosja për të dy kompanitë: për “AEY inc” dhe “EVDIN”. Unë nuk mund të firmosja për kompaninë qipriote, për të cilën unë nuk e kisha kontaktuar. Unë firmosa vetëm në emër të AEY-së. Që nga ai moment, unë paraqita të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me fuqinë punëtore, pra paraqita të gjitha certifikatat e lindjes të punonjësve, të cilët do të hynin me leje te posaçme aeroportin e Rinasit.

-Kur e zbuluat se kompania amerikane, AEY po blinte municion dyfishin e çmimit që e shiste MEICO?

Në momentin që unë me Pinarin po diskutonim për “EVDIN”, Pinari më paraqiti mua një dokument ku kjo kompani i blinte “MEICO- s” nje sasi municionesh prej 100 milionë fishekësh kallashnikovi, me një vlerë prej 22 dollarësh për 1000 copë, ndërsa momentin tjetër i shitjes nga “EVDIN” tek AEY”, unë nuk dija absolutisht asnjë lloj detaji. Në momentin që filluam punën, pas një periudhe 3 ose 4 ditore, zoti Pinari filloi të na pengonte me furnizimin me materialet përkatëse, të cilat ne duhej ripaketonim brenda një periudhe 3- mujore, sepse kjo ishte kontrata, brenda 3 muajve ne duhet të çonim 100 milionë fishekë në Afganistan. Në këtë kohë, unë vihem në kontakt me presidentin, të cilin unë nuk e njihja personalisht. Ishte zoti Diveroli dhe në bisedë e sipër, i tregoi zotit Diveroli për elementin e kontratës ndërmjet MEICO- s dhe EVDIN, e cila përmbante elementin e çmimit 22 dollarë për 1000 copë fishekë. Në këto momente, zoti Diveroli u irritua dhe nisi të më tregonte se ” EVDIN” po ia shiste kompanisë AEY me dyfishin e çmimit. Kjo kompani me qendër në Qipro e blinte materialin me 22 dollarë nga MEICO dhe e shiste me 40 dollarë tek AEY.

-A jeni në dijeni se me kë e ka lidhur kontratën MEICO, me AEY apo me EVDIN, kompani kjo që përfaqësohej nga Henri Tomei?

Sa për mua, kontratën e kam lidhur me Diverolin. Asnjë kontratë nuk kam me Henri Tomein. Unë di që kontrata ndërmjet MEICO dhe AEY është bërë nëpërmjet një komisioneri, që është paraqitur si përfaqësues për kontratën që quhet Henri Tomei. Jo përfaqësues, por komisioner.

-Kur u bllokua kontrata dhe çfarë ndodhi më pas?

Kontrata u ndërpre rreth datës 10-15 maj. Faktikisht, kontrata ligjërisht nuk u ndërpre, por Pinari nuk furnizonte më. Mbas kësaj periudhe, mesa kam marrë vesh, Pinari kërkoi që Efraim Diveroli, pronari i AEY-së të vinte urgjentisht në Shqipëri, për t’u takuar me të dhe për të diskutuar për një kontratë direkte ndërmjet MEICO-s dhe AEY-së. Kur Diveroli erdhi në Tiranë, nga data 17, në aeroport e priti Pinari. Ky e kishte udhëzuar që unë të mos shkoja në aeroport. Diveroli më lajmëron për të gjitha këto elemente dhe unë pranoj të mos vij në aeroport dhe të mos takohem me zotin Diveroli.

-A mund të na tregoni atë pjesë të Diverolit në Tiranë, ku dyshohet se ai është takuar me Pinarin, Delijorgjin dhe me një djalë që mendohet se është Shkëlzen Berisha?

Pinari e merr z. Diveroli nga aeroporti bashkë me përfaqësuesin e AEY-së në Tiranë, Aleks… njëkohësisht punonjës i forcave aleate të NATO-s. Shkojnë në një rrugë, e cila është një rrugë diku mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë. Zotin Diveroli e çojnë në një apartament së bashku me Aleksin, ku Pinari u prezanton Delijorgjin dhe një person tjetër të moshës 27-30 vjeçare. Këta dy u prezantuan si shefa të Pinarit dhe i kërkuan Devirolit të firmoste një kontratë direkte me MEICO-n dhe tani e tutje, të gjitha materialet do të shiteshin me çmimin 26 dollarë për 1000 copë fishekë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh, do t’i paguhej kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilat AEY-së po i merreshin nëpërmjet “EVDIN”.

 -Pse u takuat atëherë me Shkëlzen Berishën?

Me Shkëlzen Berishën jam takuar, pasi e kam kërkuar unë Shkëlzenin që të takoheshim, pas zërave që qarkulluan. I thashë që emri i tij ishte përdorur në këtë takim, por z. Shkëlzen më tha që nuk ishte takuar me asnjërin prej personazheve. Aty ndodhi që Shkëlzeni më kërkoi ballafaqim qoftë me Diverolin, qoftë me Aleksin, sepse ishte i sigurt që ishte i pafajshëm. Unë e besova që ishte i pafajshëm dhe nuk i rashë mbas këtij muhabeti.