Deputeti i përfshirë në sk.andalin e tokave, lëshon kërkesën bo.m.bastike: Të ndodhë para festave të nëntorit….

Deputeti i Rilindjes, Alked Hyseni, deklaroi sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor, se shqiptarët presin që ne të konkludojmë hetimin parlamentar ndaj Presidentit Ilir Meta para festave të mëdha të Nëntorit. Hyseni ndërhyri gjatë debatit lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të hetimit parlamentar, ku nga PS u kërkua edhe dy muaj kohë për të përmbyllur procesin.

“Nuk do të thotë që ne të shtyjmë me dy muaj afatin e komisionit dhe të nxjerrim konkluzionet në dhjetor, pasi shqiptarët presin vendimin tonë para festave të mëdha të Nëntorit”, tha Hyseni.

Me pak fjalë, duket se Rilindja është e vendosur për të kërkuar apo zyrtarizuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit para 28-29 Nëntorit, që janë festat zyrtare, ajo e Pavarësisë dhe e Çlirimit të vendit.

Dhe për të dhënë një mesazh në drejtim të Kreut të Shtetit u zgjodh deputeti i Vlorës, Alked Hyseni.

Emri i deputetit të Rilindjes është i lidhur kohë më parë me skandalin e tokave në bregdetin e jugut, por që u la në harresë nga organet ligjzbatuese.

Skandali i tokave

Në qershor 2016, Këshilli Kombëtar i Territorit i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik ‘Ionian Olea’ – një resort vilash dhe apartamentesh luksoze në bregdetin e fshatit Dhërmi në bashkinë Himarë.

Leja zhvillimore e kompleksit, që shtrihet mbi katër parcela toke bujqësore në plazhin e Drimadhesit, të regjistruara në zonën kadastrale 1481 dhe 1481-1739 është miratuar me kërkesën e zhvilluesve Mirela Papuli dhe Artan Dumi.

Dy nga katër parcelat ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea’, të cilat kanë një sipërfaqe prej 5 mijë dhe 6 mijë metrash katrorë tokë bujqësore, janë në pronësi të zyrës ligjore ‘Hyseni & Associates’– e regjistruar në Tiranë dhe në pronësi të babait pensionist të deputetit Alket Hyseni.

Zyra ligjore ‘Hyseni & Associaties’ është drejtuar nga Alket Hyseni nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ai u zëvendësua në administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Nga viti 2014 deri në vitin 2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se origjina e tokës me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën ‘Hyseni & Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’ dhe pritet të përfitojë sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni.

“Nuk e akuzoj unë, por dokumentet,” shprehet Irini Bua nga Dhërmiu, e cila shton se deputeti Hyseni po ndërton në mënyrë të paligjshme në tokën e saj.

“Prona ka qenë me masë sigurie që në vitin 2015. Shit-blerjet në pronë janë bërë pas masës së sigurisë nga gjykata. Ata e morën vesh që kjo pronë ka probleme dhe filluan shit-blerjet e pronës,” shtoi ajo.

Kjo pronë është pjesë e një sipërfaqeje më të madhe të fituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja Bua, e cila është transferuar përmes një serie transaksionesh financiare fillimisht te shtetasit Ilia Taka dhe Arjan Hasani dhe më vonë është shkëmbyer me deputetin Alket Hyseni për 2 apartamente dhe 3 garazhe. Hyseni ia ka shitur tokën firmës ligjore të regjistruar në pronësi të të atit me një çmim prej 30 milionë lekësh.

Nga kontrata e sipërmarrjes me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’, firma ligjore “Hyseni & Associates” pritet të përfitojë minimalisht 1100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në resortin turistik, e cila ka një vlerë tregu prej 1.1 milionë euro. Në varësi të koeficentit të ndërtimit dhe vlerës së shitjes së pronave, përfitimet mund të shkojnë në disa milionë euro.

Në një intervistë për BIRN, deputeti Hyseni i hodhi poshtë akuzat, duke nënvizuar se prona që ai ka blerë nuk është ajo që i referohet Znj.Bua, e cila sipas tij është nën sekuestro. Deputeti socialist shtoi më tej se edhe pse kishte drejtuar task-forcën, ai nuk kishte qenë në dijeni të problemeve që toka kishte, pasi nuk e kishte blerë atë direkt nga familja Bua.

Hyseni insistoi që pasuria e tij e konsiderueshme është vënë me punë të ndershme.

Historia e tokës që zotërohet nga zyra ligjore “Hyseni& Associates” nis prej 7 shkurtit 1994, kur komisioni vendor i shpërndarjes së tokës bujqësore në fshatin Dhërmi, në zbatim të ligjit 7501, ka marrë dy vendime në favor të familjes Bua me kryefamiljare Athina Buan.

“Po të shikosh me numrin kadastral, është i njëjtë me numrin e parcelës që janë bërë shitblerjet që ka përfituar Alket Hyseni. i kam kërkuar Prokurorisë të hetojë dhe të masë sipërfaqen e tokës,” shtoi ajo.

Hyseni pranoi që Irini Bua dhe i shoqi, Mantho Bua kanë bërë padi të shumta në Prokurori si pjesë e konfliktit familjar për trashëgiminë, por shton se prona që ai ka blerë nuk është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

“Pjesa që unë kam, nuk ka lidhje dhe nuk përkon aspak me atë çfarë pretendon Irini dhe Mantho Bua, të cilët kanë bërë historikisht një sërë kallëzimesh penale ndaj Stefo Buas, ndaj institucioneve të ndryshme dhe ndaj blerësve, të cilat janë pushuar nga Prokuroria dhe janë lënë në fuqi dhe në gjykatë,” tha Hyseni.

“Së fundmi kanë bërë edhe ndaj meje [kallëzim], është pushur dhe ky kallëzim për dijeninë time,” shtoi Hyseni.

Kallëzimi fillestar është bërë nga Irini Bua në vitin 2015. Prokuroria e Vlorës ka nisur hetime mbi origjinën e pronës dhe i ka pushuar ato në vitin 2016. Edhe pse Prokuroria ka arritur në përfundimin se familjes Bua i është shpërndarë më shumë tokë se norma limit e lejuar, ajo është shprehur në vendimin e pushimit të kallëzimit 139/2016, se ‘i takon institucioneve përgjegjëse të administratës publike’ të verifikojnë sipërfaqen e përfituar.”

Një prej këtyre institucioneve duhej të ishte dhe task-forca e drejtuar nga Hyseni, i cili mbas një serie transaksionesh zinxhir është bërë pronar i dy parcelave me sipërfaqe totale prej 11 metrash katrorë të familjes Bua.

I pyetur nga BIRN, Hyseni pranoi se në jug të vendit ka pasur vërtet shumë probleme me shpërndarjen e pronës nëpërmjet ligjit 7501, por ai mohoi të ketë pasur dijeni për problemet me pronën e familjes Bua në periudhën kur ka qenë në krye të task-forcës.

Dy vendimet e shpërndarjes së tokës bujqësore të lëshura nga komisioni i fshatit Dhërmi në emër të Athina Buas dhe Stefo Buas, janë regjistruar në hipotekë pas një vendimi të Gjykatës së Vlorës në 29 janar 2013.

Pas regjistrimit të pronës dhe marrjes së certifikatës së pronësisë, Stefo Bua i shet 10 mijë metra katorë tokë shtetasit Ilia Taka me çmim 1 milionë lekë me datë 7 Prill 2015. Gjithashtu, Stefo Bua bën një transaksion të dytë me 19 Shkurt 2016, duke i shitur 9,900 metra katrorë shtetasit Arjan Hasani me një çmim prej 500,000 eurosh. Hasani ndërkohë ka shitur një pjesë të kësaj sipërfaqeje me vlerë 150,000 euro në favor të shtetasit Genti Malko.