Drama e Ermirës: Burri më la për gruan 11 vite më të madhe. Jam me kancer, fëmijët pa bukë

“Jam shumë e fortë por tani nuk po rezistoj dot më”. Kjo është thirrja e fortë, ulëritëse e Ermirës, nënës së tre fëmijëve që jeta e ka hedhur sa në një krah në tjetrin duke e përplasur fort pas tokës.
Emri i Ermira Domit ka mbetur gjatë në vëmendjen e opinionit publik. Ajo është gruaja që edhe pse mori 9 urdhra mbrojtjeje, sërish vazhdoi të jetonte me ish- bashkëshortin e saj i cili e dhunonte së bashku me nënën e tij.

Shteti e kishte lënë në harresë këtë nënë për të cilën u kujtua vetëm kur Ermira tregoi historinë e saj në media. Asokohe qarkulluan në rrjetet sociale video dhune ku fëmijët së bashku me Ermirën terrorizoheshin e dhunoheshin.

Ajo që ndodhi më pas ishte se kjo nënë së bashku me fëmijët e saj u strehua përkohësisht në një qendër sociale. Kjo ishte ndihma që kjo grua mori, por mesa duket ndihma ishte e përkohshme.

Sot Ermira rrezikon të mbetet në qiell të hapur. Ajo vazhdon të mos marri pensionin ushqimor nga ish-bashkëshorti për tre fëmijët. Por ajo që është më e dhimbshme dhe tragjike është fakti se nëna e tre fëmijëve është diagnostikuar me kancer në qafën e mitrës. Ndaj ajo ka rrëfyer historinë e jetës së saj dhe vuajtjet në emisionin “Me Zemër të Hapur” në përpjekje për të gjetur ndihmë.

“Unë u dashurova me Emiljanon dhe u rrëmbeva sepse prindërit e mi nuk donin.
Problemet me Emiljanon nisi pasi u lidh me një grua tjetër që e kishim afër me shtëpi. Nisën sherret, dhuna. Martesa jonë ka qenë shumë e lumtur deri sa u fut një tjetër në mes. Unë e kuptova dhe e pyeta çfarë problemi ke, pse ke ndryshuar sjellje. Më tha se unë jam e dashuruar me personin tjetër që e kishim në lagje. Ajo është 11 vjet më e madhe se burri im. Janë bashkë dhe sot.

Në një moment mu shemb bota. S’dija çfarë të thosha dhe isha e detyruar të rrija aty sepse prindërit e mi nuk kishin vend. Shkova për 9 muaj tek prindërit me gjithë fëmijët pastaj u ktheva sërish me lutjet e burrit se nuk donte ta prishte familjen dhe se kishte hequr dorë nga e dashura”, tregon Ermira.
Por me gjithë fjalët, Emiljano nisi sërish ta dhunonte.

“Kam vajtur në gjykatë për 500 lekë të vjetra. Kisha bërë pazarin dhe nuk mbaja mend ku i kisha harxhuar 500 lekë të vjetra dhe më ka rrahur brutalisht. Shkova në gjykatë e kërkova divorcin por nuk ma dhanë. Ai kërkonte që unë të rrija me të, e pranonte që kishte tjetër por donte të rrija dhe unë që të laja, të gatuaja, dmth të isha shërbëtore e tij. Shtatzënia e tretë ishte e paplanifikuar. Ai donte që të më lidhte, që ta kisha të pamundur të ikja prej tij. Po përveç dhunës së burrit unë kam pasur dhe dhunën nga vjehrra. Ajo ka tentuar të më qëllojë me thikë se më bënte fajtore se i përfundoi djali në burg. Kam marrë 9 urdhra mbrojtje dhe asnjë mbrojtje deri sa shkova në qendrën sociale. Kur shkova në gjykatë, gjykatësja më tha mos hajde më se nuk merrem me ju”, rrëfen mes lotësh Ermira.

Në emision ka ardhur dhe zëri i ish-bashkëshortit të saj që nuk jep asnjë kontribut për tre fëmijët. Ai tha se punon me hope dhe se nuk ka para që t’i japë.

“Unë s’kam punë. Punoj 2 ditë dhe rri një javë. S’kam para, me 10 mijë lekë që marr të ha bukë, të paguaj ujë, drita etj. Nuk e di çfarë të bëj”, tha Emiljano.

Me gjithë lutjet e gruas, e cila nuk kishte paguar qiranë për 4 muaj si dhe dritat por edhe thirrjet e moderatores Evis Ahmeti ish-bashkëshorti ka thënë se nuk ka para por se do përpiqet në të ardhmen.
Fatmirësisht apelit të gruas i është përgjigjur Agjencia “Stop Krimi” me drejtuesin e saj Fatmir Sena, i cili ka thënë se do t’i sigurojë ushqim, veshje dhe madje dhe strehim gruas dhe tre fëmijëve të saj.