Dritan Prifti kthehet, historia e djalit që braktisi Anglinë për Libofshën e Fierit

Dritan Prifti është fieraku që braktisi Anglinë pas 20 vitesh për të ndërtuar vreshtat në Libofshë, aty ku pret e përcjell vizitorë me një gotë verë.

Pas 21 vitesh në Londër, Dritani Prifti, vendosi të braktisë përgjithmonë Anglinë dhe t’i përkushtohet mrekullisë që ndërtoi vetë në këto kodra ku dhe shpirti i gjen rehat.

“Erdha që e pashë kjo kishte 20 vjet pa punuar se nga ndarja e ligjit të famshëm të gjithë fshatarët kishin nga 5-6 dynymë dhe ishte e vështirë për ta vijnë nga Libofsha për 5-6 dynymë dhe mendojnë rrezikun e mospunimit që mund të shpërdorohet e vidhet”.

Ka hedhur këtu mundin, sakrificat dhe dashurinë për tokën, ashtu i thjesht, fjalë pak, por punëtor. 20 vite më parë, kodrat e kësaj ane në Libofshë të Fierit ishin shkretëtirë, deri sa Dritani ngriti një nga sarajet e natyrës: Një ëndërr e bukur, nisur në një kilometrazh të gjatë rrugësh, midis Shqipërisë dhe Londrës.

“Edhe në kohën e shkuar ka qenë vresht. Detyrimisht që diçka ishte studiuar dhe para se ta mbillnim kemi bërë studim me analiza toke, me orientimin e diellit, që dielli bie në pjesën më të madhe të kohës midis vreshtave që garanton një pjekje e kualitet të shkëlqyer”.