Dy javë pas grabitjes/ “Austrian Airlines” pritet të rifillojë transportin e parave nga Rinasi

Me sa duket, gjithçka po harrohet.

Prej dy javësh bllokimi, “Austrian Airlines” po rishikon mundësinë e rifillimit të transportit të parave nga Rinasi drejt Vjenës. Edhe pse ka qenë zëdhënësja e “Austrian Airlines” Tanja Gruber që ata do tërhiqeshin deri në momentin që gjithçka do të ishte e sigurt, atëherë do të fillonte edhe shërbimi i transportit cash të parave.

Znj. Gruber nuk dha një datë të saktë se kur do të rifillojnë transporti, por sipas “Monitor” dhe disa burimeve nga kompanitë shqiptare që bashkëpunojnë për këtë shërbim, thanë se pritet të fillojë shpejt.

“Austrian Airlines” e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6.5 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend.

Bllokimi i transportit të parave shkaktoi shumë probleme në ditët e para, ku madje dhanë edhe efekt të menjëhershëm te kursi i këmbimit.

Në tre ditë, që kur ndodhi grabitja e parave në barkun e avionit në Rinas, që po nisej drejt Vjenës, euro humbi 1.31 lekë, duke u këmbyer në datën 15 prill me 123.58 lekë, në nivelin më të ulët nga fillimi i janarit. Krahas euros u nënçmuan dhe të gjitha valutat e tjera, si dollari, paundi, fanga zvicerane.

Rënia reflektoi pamundësinë e bankave për të transportuar valutën jashtë vendin, çka po i bën ato të kufizohen në transaksionet e këmbimit valutor.

Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Bankat i transportojnë paratë dhe për të realizuar pagesat e mëdha për klientët, ku paratë e transfertave u dërgohen bankave korrespondente.