E fundit/ Manchester United shkarkon Mourinhon, humbja e në Liverpul i dha goditjen

Manchester United ka shkarkuar José Mourinhon pas humbjes së të dielës në Liverpul, duke i dhënë fund një mandati që filloi në maj 2016.
Marrëdhëniet mes Special One dhe zëvendës-presidentit Ed Woodward ka kohë që janë të ndera dhe që në verë nisi konflikti i hapur, kur Mourinho kërkoi qendërmbrojtës klasi, por nuk u ble, pasi klubi gjykoi se nuk ekzistonin lojtarë në treg më të mirë se ata që ka në ekip Mourinho.

Më pas konfliktet pasuan njëri-tjetrin dhe më i famshmi ishte ai mes Mourinho-s e Pogba-së, me francezin që pati një debat të egër me trajnerin. Mourinho i hoqi shiritin e zëvendëskapitenit dhe në ndeshjet e fundit Pogba ka qenë rregullisht në stol.

Gjithashtu, Mourinho ka kritikuar hapur lojtarët për mungesë cilësie dhe mentaliteti fitues, ndërsa ka pasur fjalë të ashpra edhe për lojtarët e rinj në moshë, që sillen shumë keq krahasuar me futbollistët e rinj të disa dekadave më parë.

Edhe në verë Mou ishte i pakënaqur, për shkak se shumë lojtarë ishin pushim nga Kupa e Botës dhe United shkoi në turne në Amerikë me çerek ekipi, duke u bërë qesharak.