E vërteta për Silva Turdiun, si e refuzoi Skënder Shehu mbesën e Nexhmije Hoxhës

Prej bisedave me Bashkim Shehun, por dhe informacioneve që qarkullonin asokohe, Demalia tregon për fëmijët e Mehmet Shehut, sidomos Skënderin, i cili dukej se ishte më i ngjashëm me të atin.

Pas ribotimit të plotësuar të librit autobiografik “Vila me tri porta” të shkrimtares dhe fizikanes Vera Bekteshi, botim i “UET PRESS” e bija e ish-gjeneralit Sadik Bekteshi, të dënuar në vitin 1974 me grupin puçist të ushtarakëve, në gazetën “Panorama” u botuan disa pjesë nga kjo vepër.

Në të ajo flet për jetën e saj si vajzë Blloku, njohjet me bijtë e pushtetarëve të kohës, të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Kiço Ngjelës, etj., por edhe për jetën e saj në internim dhe shenjat që kjo periudhë e errët do të linte në jetën e saj. Analisti Ilir Demalia, i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit për vite me radhë, nuk bie dakord me Bekteshin në disa prej rrëfimeve të saj. Ai gjen pasaktësi apo informacione të pavërteta.

Prej bisedave me Bashkim Shehun, por dhe informacioneve që qarkullonin asokohe, Demalia tregon për fëmijët e Mehmet Shehut, sidomos Skënderin, i cili dukej se ishte më i ngjashëm me të atin. Po ashtu, edhe për prishjen e fejesës së tij me Silva Turdiun dhe lidhjet e tij të mëparshme dashurore, refuzimin për t’u fejuar me mbesën e Nexhmijes, lidhjen me Irena Papën, etj. Ai e quan të panatyrshëm adhurimin e Bekteshit, Ngjelës e Maks Velos për Ismail Kadarenë, që, sipas tij, ka bërë një letërsi propagandistike.

ILIR DEMALIA
Në gazetën “Panorama”, lexova një pjesë nga libri i Vera Bekteshit, së cilës, nuk ia kam lexuar librat dhe nuk mund ta paragjykoj apo të gjykoj në tërësi librat e saj.

Për aq sa lexova pjesën e botuar në gazetën “Panorama”, ka të pavërteta dhe sajesa, që, për ne që kemi jetuar atë kohë dhe kemi ndjekur ngjarjet, tregimit të Bekteshit i kërcasin planet, siç thuhet në kinematografi.

Fëmijët e Sadik Bekteshit, ashtu si dhe të Mehmet Shehut, (jo Skënderi) apo fëmijët e Kiço Ngjelës, djali i Manush Myftiut, Agim Myftiu, djali i Kadri Hazbiut, i ndjeri Agron Hazbiu, të cilin e kam njohur personalisht në atë kohë, nuk ishin dogmatikë dhe gijotinarë të Enver Hoxhës si baballarët e tyre. Ishte e kundërta, këta shikoheshin me simpati nga ata që ishin të prekur nga regjimi dhe nga “rrugaçëria” e Broadway-it. Këta ishin avangardë dhe një rebelim simpatik për rininë e Tiranës së fillimviteve ’70. Kjo ishte logjike, edhe pse këta kishin informacionin shumë më madh dhe “sigurinë”, por mbi të gjitha ishte natyra tyre qytetare që binte ndesh me djemtë e të ardhurve më të vonshëm të regjimit.

E veçova Skënderin, që nuk ishte si këta, pasi në një bisedë me Bashkimin Shehun në vitin 1992 në shtëpinë time në Tiranë, pasi isha kthyer nga Gjermania, gjatë bisedës, ku po diskutonim gjëra të ndryshme, Bashkimi, ndërmjet të tjerave, më tregon për brutalitetin dhe ashpërsinë e të atit në shtëpi. Sesi ky (Bashkimi) dhe Ladi ruheshin dhe nuk flisnin në sy të Skënderit, pasi Skënderi ishte dogmatik dhe i tregonte gjithçka të atit. Ndërmjet të tjerave më tregoi, se si një herë, Mehmeti e kishte kapur në dhomën e tij duke lexuar “Procesin” e Franc Kafkës, ia kishte grisur librin, duke i bërtitur rëndë me një histeri të frikshme. Apo si Bashkimi e ndryshonte modelin e flokëve kur dilte jashtë dhe si e ndryshonte në shtëpi në sy të prindërve. Në lidhje me Skënderin dhe dogmatizmin e tij kemi dhe një fakt tjetër që e di nga i ndjeri miku im, Jamarbër Marko (Madu), djali Petro Markos. Kur Madun e larguan nga Vlora si gazetar i porsanisur, shkrimi i parë i tij, u bë shkak për ta larguar nga gazetaria dhe Vlora dhe për ta lënë të papunë në Tiranë. Jamarbër Marko takohej me Skënderin. Ndërmjet të tjerave, Madu i thotë Skënderit një ditë se, “Enveri do të eliminojë Mehmehtin…”. E të tjera, e të tjera, ashtu siç fliste Madu. Skënderi ia tregon këtë Fiqretes, e cila lajmëron Sigurimin dhe pastaj, Madu përfundon në arrestim. Sipas Madusë, Skënderi nuk e ka bërë me qëllimin të arrestohet Madu, por ky ishte Skënderi dhe nuk ishin kështu Ladi dhe Bashkimi.

Kjo vërtetohet po të lexohet libri i Petro Markos “Retë e gurët”, ku shkruan:

[…] “Mbas pesë muajsh hetuesi, më 31 dhjetor 1975, u dha vendimi i gjyqit: Gjashtë vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Në takimin e parë me djalin, përpara se të nisej për në Spaç, takim me dy palë hekurash mes nesh, ai ishte jashtë mase i tronditur, i verdhë, i ënjtur, i deformuar. Ne e pyesnim dhe ai heshtte. Shqiptoi vetëm disa fjalë të pakuptimta për ne: ‘Jam këtu për të dytin’”.

Jam këtu për të dytin, ishte fjala për Mehmet Shehun, për atë që i pati thënë Skënderit.

E bëra këtë parabolë, pasi, nuk mund të kuptoje në atë pjesë të tregimit të Bekteshit, paraqitjen e Mehmet Shehut si njeri për t’u pasur zili në karrierën e tij. Bekteshi shkruan:

“Jo vetëm ne fëmijët që u rritëm në Bllok, kur filluam të mendonim me mendjen tonë (kush e pati atë fat), por edhe shumë të tjerë, e dinim fare mire se e kaluara e Kryeministrit shqiptar ishte për t’u pasur zili: shkolla amerikane e ‘Fulzit’ në Tiranë, më pas akademia ushtarake në Itali, Lufta e Spanjës, eksperienca në Francë, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese gjatë Luftës së Dytë…”.

Më poshtë, Bekteshi vazhdon dhe tregon sesi Kryeministri rrinte i ngrysur, pasi ai ndihej superior me të tjerët, por në të vërtetë ishte shumë i qeshur. Kështu na tregon Bekteshi në një rast gjatë një vizite për vdekjen e së ëmës të Kryeministrit më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë dhe GIJOTINARI numër një dhe më besniku më i madh diktatorit Hoxha.

Në luftën e klasave, Mehmet Shehu ishte më xhahili dhe vrastari. Në luftën kundër shfaqjeve të huaja pas Festivalit 11, ai mori gërshërët e doli vetë nëpër Tiranë, duke i prerë flokët e pantallonat në rrugë të rinjve.

Bekteshi shkruan se Shehu, ndryshe nga Hoxha, ishte trim, ai kishte vrarë, por jo pas krahëve?!! Kë do të quajë vrasje burrërore Bekteshi, vrasjet e 20 italianëve të kapur robër në Lushnje? Të 70 të tjerëve në Mallakastër? Vrasjet e pa gjyq në Mirditë, ku pushkatuan 18 vetë në gusht 1949 si hakmarrjeterror për vrasjen e Bardhok Bibës pa gjyq? Që groposi së gjalli disa prej tyre? Përse Bekteshi do t’i japë një fytyrë humane dhe burrërore një krimineli ordiner dhe sadisti që ka mbjellë vetëm frikë dhe terror gjatë sundimit tij në pushtet?! Bekteshi, na tregon sesi ajo, së bashku me Spartak Ngjelën dhe Vladimir Shehun, djalin e Kryeministrit, i mbajtën premtimet?!!

Tregon për diçka që unë e kam dëgjuar nga Spartak Ngjela në vitin 1995. Ngjela tregonte se te bisedonin në plazh në vitin 1973 me Ladin kundër regjimit, dhe kjo është e besueshme deri këtu, Ladi, i paska thënë Ngjelës: “I pari do t’i hajë të tërë dhe do të na vijë radha dhe ne. Por poshtërimin e këtyre unë nuk mund ta duroj dhe metoda më e mirë për të vdekur n’paqe, është vetëvrasja me korrent, duke futur dy tela në prize dhe…”

Për ata që njohin nga afër Avokatin dhe për logjikën e situatës dhe kohës kur zhvillohet kjo bisedë, kjo është pak e besueshme. Pse? Në vitin ’73-74, jo vetëm Ladit, por edhe Ngjelës e Verës, as nuk i shkonte mendja se do përfundonin ashtu. Rebelimi tyre ishte një llastim. Kryeministri Mehmet Shehu, në vitin 1974 ishte në zenith të pushtetit dhe priste e vriste si t’i donte qejfi. Kriminel i pamëshirshëm dhe aspak ashtu siç do të na e paraqesë Vera Bekteshi, se ishte trim, po nuk vriste pas shpine.

Ladi ishte APPSH, pra, komunist dhe kryeinxhinier i URTsë dhe nuk kishte pse të mendonte vdekjen në atë kohë, me gjithë “pakënaqësitë apo kundërshtitë”, që mund të kishte me të atin dhe regjimin e tij.

Bekteshi flet edhe për fejesën e Skënder Shehut me Silva Turdiun. Ajo e paraqet si një gjë të kurdisur, për të goditur Kryeministrin Shehu, dhe në anën tjetër si një sfidë e djemve të Shehut dhe vetë Kryeministrit për t’u afruar me klasat e përmbysura apo kundër regjimit. E gjitha kjo nuk ka kuptim. Nuk ka kuptim, sepse Mehmet Shehu, në asnjë moment të jetës tij, siç tregon letra që ka lënë, nuk i ka shkuar mendja të jetë kundër Enver Hoxhës. Në të kundërt, në krimet e përbashkëta, Shehu tejkalonte me zellin e një vasali urdhrat e Enver Hoxhës. Familja Turdiu nuk konsiderohej e persekutuar me statusin e kohës. Qazim Turdiu ishte profesor Matematike në Universitetin e Tiranës dhe njihej si njeri serioz dhe i aftë në lëndën e tij. Silva, studente në Ekonomik dhe volejbolliste e Dinamos. Theksoj: e Dinamos, ku filtrat biografikë shikoheshin me imtësi në Klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Dinamo”. Silva Turdiut nuk iu pengua as edhe një herë dalja jashtë shtetit si familje “me biografi të keqe”, derisa ndodhi prishja e fejesës. Paridi, djali i profesorit dhe vëllai i Silvës, ishte student për Inxhinieri Elektronike, një nga degët më të privilegjuara, por jo si privilegj në këtë rast, por si aftësi e një studenti ekselent. Turditë ishin pothuaj të gjithë të shkolluar apo studentë në Universitetin e Tiranës dhe, pothuaj, të gjithë të emëruar në Tiranë me punëra të mira për kohën. Kjo, edhe për shkak të korrektesës dhe aftësisë së tyre. Kështu nuk trajtoheshin familjet e persekutuara. Turditë ishin “jozullumqarë” apo “shqetësues” për regjimin. Në të kundërt, shumë korrektë dhe të përkushtuar në punën e tyre dhe profesionet.

“Vrima”, siç thotë Vera, apo “Cene” siç thoshin tironcit, në biografi, me daja nga nëna, apo burra daje e halle, ishin gjysma e popullsisë. Por me afër se dajën e nënës, Silva Turdi kishte dy xhaxhallarët të arratisur njëri në Kroaci (IshJugosllavi) dhe tjetri që ishte dhe aktiv kundër regjimit Tiranës, si pjesëtar i Ballit Kombëtar, Ramazan Turdiu në Amerikë. Me “cene biografike” ka pasur edhe anëtarë të Komitetit Qendror, por kjo nuk do të thotë se ishin të persekutuar apo kundër regjimit. Ne të kundërt, këta me cene, ishin me të zellshmit dhe me korrektët me regjimin. Dhe kjo një gjë krejt normale. Me këtë logjikë, i bie që edhe Enver Hoxha ka qenë me biografi të keqe se kishte të pushkatuar nga komunistët burrin e motrës, Bahri Omarin.

Nuk duhen analizuar gjërat nga pozitat e “trimoshit-antikomunist” sot, siç po ndodh rëndom në shoqërinë shqiptare, duke manipuluar e trilluar. Kjo gjë është kthyer në neveri, si një neveri shoqërore e shoqërisë shqiptare për të mos pasur kurajë për t’u ballafaquar me të vërtetën dhe për të nxjerrë mësim nga e keqja kriminale shtetërore që kaloi shoqëria shqiptare për gati gjysmë shekulli dhe vazhdon të sillet në rrethin vicioz të kësaj të keqeje si sundim i establishmetit që i shërbeu me zell diktaturës.

Vera nuk ka sesi të ketë informacione nga brenda Bllokut e internuar ne Berat dhe e izoluar totalisht me gjithë familje, përveçse lajmeve të gazetave zyrtare dhe Radios Tiranës. Ngjarjet me Kryeministrin Shehu ndodhën në mënyrë të rrufeshme. Gjatë Kongresit në nëntor të 1981, (jo 1982) siç është shkruar në gazetë, u kuptua diçka.

Ishte prishur fejesa, jo ashtu siç e përshkruan Bekteshi në pjesën e botuar në gazetë. Bashkim Shehu, sipas librit “Vjeshta e fundit”, por edhe deponimeve të vetë Skënderit në intervista të tij në gazeta dhe TV, pas 1990, Mehmeti, jo që nuk ia ka kundërshtuar prishjen e fejesës Enver Hoxhës pas vizitës së Enverit në shtëpinë e Shehut për “urim”, por fill pas vizitës Enver Hoxhës në shtëpi, ka thirrur Skënderin të bëjë ndarjen. Sipas vetë Skënderit, ky i ka kërkuar të atit të largohet nga shtëpia e të mos prishë fejesën. Por Kryeministri ka qenë kategorik që kjo fejesë ka marrë fund.

Me rëndësi është se në këtë fejesë duhen parë disa marrëdhënie të mëparshme ne lidhje me Skënderin. Pak para 2 apo tre viteve të fejesës, pra, rreth vitit ’77-’79, Skënderin kanë dashur ta fejojnë, siç bëheshin fejesat në Bllok, me mbesën e Nexhmije Hoxhës. Kjo nuk ndodhi, pasi nuk pranoi Skënderi. Me vonë, Skënderi ka thënë: “Po ta dija që do përfundonim kështu, do të kisha pranuar mbesën e Nexhmijes”. Gjatë vitit ’79-’80, Skënderi ishte lidhur me një nga vajzat e bukura të Tiranës në atë kohë, Irena Papa. Kjo vajzë konsiderohej me parametrat e kohës si njeri imoral. Kjo marrëdhënie u bë shqetësuese dhe për familjen Shehu dhe për partinë dhe Sigurimin. Skënderin e larguan nga Irena duke internuar vajzën për sjellje të padenje në shoqëri.

Më pas ndodhi takimi me Silva Turdiun dhe ndodhën ato që ndodhën e që dihen në vija të përgjithshme. Njerëzit që dinë shumë dhe që janë dhe në dosjet hetimore të Feçorr Shehut dhe Skënder Shehut, të cilët kanë deponuar rreth kësaj ngjarjeje në hetuesi dhe gjyq, nuk kanë folur dhe nuk dimë në ekzistojnë këto dosje. Për shembull, Kreshnik Tartari, vetë Turdiu etj.

Bekteshi ka dhe një tjetër pasaktësi si mosnjohje… Ajo shkruan: “Arshi Pipa, profesor letërsie në SHBA, fliste pa da në ‘Zërin e Amerikës’”.