Edi Rama, djalli i dalë mode

Nga Edi Dani

Nuk e imagjinonte dot gjatoshi, që edhe duke sajuar takimin e mbrëmshëm, hipnoza e tij s’do t’i kryente asnjë pune. Qe mësuar keq vitet e fundit. Bëj gallatë në feisbuk e rri si mbret në pushtet.

Gjej ndonjë xhaje të këputur aty këtu, bëj batuta arrogante me ta dhe këtë servirja publikut si punë e jashtëzakonshme e një kryeministri vizion-madh.

Publikun që duronte bastardime të këtij lloji e gjeti të shtruar falë terrorit të gjatë që nga 44.

Edi Rama deri dje u dukej “cool” njerëzve pikërisht se i vidhte, i varfëronte dhe në fund ua zbuste duke i fut një të tallme me ta.

Sot duket punët kanë ndërruar. Por Edi Rama jo. Nuk e kupton që i ka ikur koha edhe si showman. Mblodhi në sallën e një emisioni, që s’e ndjek njeri, ca çerra partie, në pritje të ndonjë vendi pune qyl dhe mendoi se duke bërë herë viktimën, herë babëmadhin, herë të zgjuarin, herë naivin si zakonisht, do ta shfrynte epshin e protestuesve.

Në trurin e tij, të rinjtë, përceptohen si derdimen që prapësohen kollaj. Ata skanë pse ta pengojnë këtë farë kryeministri largëpamës të bëjë gjëra të mëdha me Linditat e tij të vogla.

Kaq syleshur sa është nga pushteti i tejzgjatur për kapacitetin e tij, ska kohë as ta vërë re se të rinjtë sot kanë me shumë sens ironie e logjike dhe mjete për t’i zhvilluar, se Gjatoshi e servilat e tij.

Ai nuk është në gjendje ta kuptojë, që loja ka ca kohë që ka anuar nga kampi armik dhe të rinjtë vetëm sa gajasen me përpjekjet e dështuara të vetë atij dhe enturazhit në pritje të ethshme për të manipuluar protestën e hovin rinor.

Askush më shumë se Edi Rama nuk i druhet dhe nuk ka më shumë interes që ta zhbëjë këtë proteste. Nuk fiton kurrë opozita nga kjo lëvizje, kundrejt asaj çfare humbet Edi Rama.

Edi Rama është frikacaku më i madh në Shqipëri. Pa diskutim dhe deri në nivele patologjike. Ai është i gatshëm të orkestroje lloj lloj budallalleqesh me shpresën “Zot bëjë ëndërr këtë proteste”. Imagjinoni pak se ç’do të ndodhte në Francë, sikur Makroni të thërriste 30 veta të partisë së tij, t’i vishte me jelekë të verdhë, të paguante ndonjë haraç të Tv Francë dhe të zinte dy orë emision duke iu llomotitur, sikur këta të kenë në dorë tërë shpirtin e protestes franceze.

Do digjej Parisi, Strasburgu, Lioni, Marseja e tërë shteti.

Kuptohet, në Shqipëri nuk është krijuar akoma ajo koshience proteste, por të paktën barkun me neveri ua ka hap njerëzve. Asgjë nuk vjen për një ditë. Dynjaja të blen avash- avash.

Të rinjtë sot e dinë sa vlen Edi Rama, çfarë është i zoti të bëjë dhe sa orë akoma duhen për ta rrëzuar nga pushteti.

Kjo i bën ata me trima dhe të vendosur në rrugën e tyre. Nuk kanë pse të ikin ata nga Shqipëria, le të ikin qeveritë. Ai që ta marrë pushtetin të tregoje sa i zoti është. Po s’qe i zoti ta lëshojë. Po se leshoi ta tërheqin zvarrë!/Pamfleti

Lexo edhe: