Fëmija rrezikoi jetën pas operacionit tek Ushtaraku, e shpëton doktori shqiptar në Itali

Një fëmijë 6 vjeç u aksidentua disa ditë më parë në qytetin e Kavajës duke rënë nga muri disa metra i lartë në tokë.

Si pasojë e aksidentit fëmija e familjes Lecini u transportua me urgjencë për në Spitalin Ushtarak ku sipas të atit u realizua operacioni.

Babai tregon se pavarësisht se u shpenzua një shumë e madhe të hollash, në një spital shtetëror, gjendja e fëmijës nuk po përmirësohej pas operacionit. Mentor Lecini është nisur së bashku me fëmijën në drejtim të Italisë duke i dhënë të miturit morfinë për të përballuar udhëtimin.

Në Itali është ndihmuar nga mjeku shqiptar Kristo Papa dhe mjek italianë të cilët menjëherë e kanë futur përsëri në operacion me çdo shpenzim falas. Sipas mjekëve në Itali fëmija kishte krijuar infeksion pas operacionit gjë e cila mund t’i rrezikonte dhe jetën.

I mituri vijon trajtimin ende në spitalin Borgo Trento në Verona për largimin e infeksionit por është përmirësuar ndjeshëm pas dy ndërhyrjeve në Itali dhe pritet të dali pas disa ditësh nga spitali.

Infeksioni i marrë në Shqipëri sipas doktor Kristo Papës nuk lejonte ngjitjen e kafkës së fëmijës duke rrezikuar pasoja të rënda për fëmijën. Sipas familjarëve shkak për infeksionin sipas mjekëve në Shqipëri, ishin kushtet e këqija spitalore.