Flet efektivja e “Shqiponjave” që luftoi për të mbrojtur banesën: Më morën në telefon…

Blerta Dervishaj, efektive e Njësisë “Shqiponja”, në Policinë e Tiranës është nënë e dy fëmijëve. Të hënën ajo bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes kundërshtoi përmbarimin dhe policinë për marrjen e pronës pas humbjes së gjyqit. “Vërejtje dhe pezullim nga puna 3 ditë me motivacionin ‘Pengim të veprimeve përmbarimore’”, kjo ka qenë masa që është dhënë për efektiven e “Shqiponjave”, Blerta Dervishaj.

Ajo banon bashkë me 14 persona të tjerë në ndërtesën ku ndodhi përplasja ditën e hënë, kur përmbaruesit, të mbështetur edhe nga dhjetëra forca të Komisariatit nr.2, shkuan pranë tyre për t’i nxjerrë jashtë, pasi tokës ku është ndërtuar banesa, i ka dalë pronari. Për këtë çështje, tashmë ka një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, të cilin përmbaruesit shkuan ta ekzekutojnë një ditë pasi njoftuan familjarët të lirojnë banesën.

EFEKTIVJA

Blerta Dervishaj u pezullua dje, pasi bashkë me banorët e tjerë nuk pranuan të dalin nga banesa duke shkaktuar përplasje të forta me përmbaruesit. Ata tentuan të hapin me forcë derën e jashtme të banesës, ndërsa pas saj gjendeshin familjarët, duke mos e lejuar këtë veprim.

Blerta Dervishaj u filmua dy ditë më parë edhe në një moment teksa i hoqi nga dora njërit prej banorëve, një sëpatë që mbante pas portës së hekurit. Në çdo moment, ajo ka tentuar dhe ka shmangur në shumë raste përshkallëzimin e situatës, qoftë me përmbaruesit, qoftë me kolegët e saj të Policisë.

Vetë efektivja Dervishaj u shpreh dje se po mbronte shtëpinë e saj. “Më morën në telefon dje (të hënën) dhe më thanë që do të pezullohesh dhe do të marr vërejtje se kam penguar Përmbarimin të kryejë detyrën. Ndërsa sot (dje) m’u komunikua me shkresë se pezullohem 1 deri në 3 ditë dhe pezullimi shoqërohet edhe me vërejtje. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, mbrojta shtëpinë time. Veprimet e mia ishin jashtë orarit të punës, nuk kishte lidhje me detyrën”, tha efektivja.