Gazetarja italiane “shuplakë” kryeministrit Rama: Duhet të përgjigjesh për …

Gazetarja e emisionit investigativ italian”Le Iene”, Alice Marinelli ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me shfaqjen e Ramës në Itali.

Marinelli tha mbrëmjen e sotme në emisionin Tempora në Ora News, se Rama duhet t’i përgjigjet të gjitha akuzave.

Ajo u shpreh: Sigurisht që me Shqipërinë kemi një lidhje të rëndësishme, nuk është vetëm një vend i afërt gjeografikisht me Italinë, por edhe afër zemrës. Ka shumë shqiptarë prej vitesh në Itali, ka edhe shumë italianë në Shqipëri. Është një lidhje që e njohim tashmë dhe interesi për Shqipërinë është gjithnjë i ndezur. 

Në këtë moment historik, interesi është edhe më i madh. Nga Italia na ka bërë shumë përshtypje se si protestat që sot janë të përgjithshme kundër korrupsionit, nisën faktikisht si spontane nga ana e studentëve, që luftonin për të drejtat në arsim dhe kushtet e jetesës në ambientet studentore.

Ato sollën zëvendësimin e një ministri. Ndoshta Edi Rama ka të drejtë, që protesta u mbështet edhe nga një pjesë politike, por kjo është e pashmangshme, në të gjitha vendet, në të gjitha betejat, tek ato për të drejtat në arsim, për të drejtat e grave etj. 

Por kjo për ne ka pak rëndësi, pra instrumentalizimi politik i mundshëm i një proteste. Për ne rëndësi ka që studentët dalin në rrugë, zbresin në sheshe dhe që kryeministri nuk u përgjigj. Sipas nesh, të paktën siç e shohim nga jashtë, kryeministri Edi Rama duhet t’i përgjigjet akuzave që i bëhen dhe jo  vetëm t’i drejtojë gishtin instrumentalizmimit politik që është i pashmangshëm në kaq beteja aktuale. 

Në një vend si Shqipëria, që perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkan sipas organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, Transparency International është shumë e rëndësishme që qeveria të përgjigjet. Duhet të përgjigjet për varfërinë në rritje të njerëzve që ne e prekëm vetë me ardhjen në Shqipëri. Do të qe një sinjal i rëndësishëm nga ana e qeverisë.