I tha ish kryeministri se nusja ia drithte, biseda e djalit me Marjetën në bulevard: Ajo nisi të qante, miku i huaj te Liqeni…

Bashkim Shehu, djali tjetër i numrit dy të regjimit komunist, ish kryeministrit Mehmet Shehu, rrëfen një nga ato ditët kur babai tentonte të vendoste autoritetin e munguar te fëmijët, duke iu imponuar ca rregulla mbështetur në sinjalizimet e Sigurimit të Shtetit, si daljet natën vonë, ndonjë gotë me miqtë, kafetë në shoqërinë e të huajve dhe deri te sjellja jashtë normave të kohës e Marjetës, gruas së Bashkimit, që asokohe kishte zënë shoqëri me njërin prej punonjësve të ambasadës franceze…..

***

Pak ditë mbasi u prish fejesa e Skënderit me Silvën, babai dërgoi e më thërriti sërishmi nga zbori. Më priste në studion e tij të katit të poshtëm, i vrenjtur, hijerëndë, po prapëseprapë me njëfarë turbullimi që s’po mund ta fshihte. Mesa dukej, i paduruar që t’i thoshte sa më parë çka krejt kishte përbluajtur në vetvete, qe kthyer nga zyra mjaft herët. Ose ndoshta s’kishte qenë fare në zyrë dhe sapo qe kthyer nga Enver Hoxha, me të cilin po takohej dendur gjatë gjithë asaj jave.

-Më ka ardhur një sinjalizim në drejtim të Marjetës… Ajo na ka marrë veturën, në kohë vape kështu, kur ka pak njerëz në qarkullim, dhe ia hipën veturës shkon te lokali atje lart, te liqeni, ulet në një tavolinë këmbë mbi këmbë, dhe mbas një çike vjen dhe ulet me të një i huaj… Ka të ngjarë të jetë dhe rastësi, po ka të ngjarë edhe të mos jetë… Ky i huaj është punonjës i një ambasade dhe nuk mund të mos jetë i interesuar të krijojë lidhje me Marjetën që ta shfrytëzojë për qëllime spiunazhi.

-Do ta pyes Marjetën, – i thashë i befasuar, i tronditur, duke ua shmangur vështrimin syve të babait dhe duke e mbërthyer për disa çaste te shkrumbi i letrave në oxhak dhe atë botë m’u bë se ishte gati të vrundullonte s’andejmi një shtëllungë e stërmadhe e murrme tymi. Atë ditë drekova vetëm, pa i pritur të tjerët. Me t’u kthyer Marjeta, nuk m’u durua dhe i thashë se kisha diçka për të biseduar me të.

Dhe këtë ia thashë gjithë duke e ditur se në kësi rastesh Marjetën zakonisht e kaplonte ankthi. Ajo nuk hëngri veçse dy kafshata. I thashë të dilnim më mirë, nuk më rrihej brenda dhe kështu dolëm së bashku. U ulëm në një nga stolat e një parku përskaj bulevardit të madh. Ajo priste gjithë ankth, por unë kisha një mjegullirë në kokë dhe nuk po dija nga t’ia filloja.

Bëra ç’bëra dhe nisa t’ia riprodhoja copëra-copëra dhe disi rrëmbyeshëm bisedën që kisha pasur me babanë.

-Dy janë mundësitë, – i thashë Marjetës, – ose e kanë me Ismailin dhe ai është në rrezik, ose është diçka më e gjerë… domethënë një përgatitje për një gjueti të re shtrigash të tipit të plenumit të katërt. Po Marjeta, ndërkohë, kishte filluar të qante.

-Pse qan?, – i thashë. -S’do shkojmë më te Kadaretë?, – tha ajo, mes lotësh. Pikërisht miqtë më të mirë që kishim, atje ku shkojmë më me qejf, na i ndalojnë…

-Kush tha që s’do shkojmë tek ata!, – bëra ta qetësoja, – madje që tani do të shkojmë, sepse duhet paralajmëruar Ismaili patjetër, se mund të jetë në rrezik…

-Ashtu vërtet, – tha Marjeta, por a do t’i gjejmë zgjuar në këtë orë? -Besoj se ende nuk kanë rënë për të fjetur…