Ish-punonjësi i ISSH-së vjedh paratë e pensioneve të fshatarëve

“Fiks Fare” zbulon një skandal që ka ndodhur në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Korçë, ku punonjësi i këtij institucioni ka mashtruar fshatarët duke u vjedhur 50 milionë lekë kursime.

Lekët, ai ua ka marrë me motivin e derdhjes së sigurimeve shoqërore për pension. Lekët që punonjësi u ka marrë banorëve duhet të derdheshin më vonë në bankë, gjë që nuk ka ndodhur. Në sistem, të dëmtuarit nuk kanë asnjë derdhje.
Në fakt, ky mashtrim u zbulua në fillim të muajit korrik të këtij viti, kur punonjësi Ardit Shpati u hoq nga puna për mosplotësim normash. Që nga ky moment, banorët e Njësisë Administrative të Pojanit, e cila përfshin 12 fshatra, u drejtuan në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Korçës për të verifikuar në sistem nëse kontributet e tyre ishin derdhur. Në atë kohë, ata kuptuan se inspektori bujqësor Ardit Shpati i kishte mashtruar.

“Fiksi” solli me zë dhe figurë dëshmi të banorëve të Pojanit, të cilët thonë se me shumë mund kanë kursyer aq lekë që të siguronin pensionin. Shumat që familjet kishin pretenduar se kanë derdhur si kontribute variojnë nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë.

Djali i një familjeje tregoi se, gjithë të ardhurat nga puna që kishte bërë në Greqi e kishte hedhur si kontribut për prindërit, rreth 520 mijë lekë. Ai është detyruar t’i ripaguajë, pasi i ati humbte pensionin. Por, nga punonjësi Ardit Shpati ishin mashtruar edhe shumë të tjerë, aq sa vlera e shumës që ky i fundit ka përvetësuar nga banorët është 5 milionë lekë.

Gazetarët e “Fiksit” iu drejtuan Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Drejtori i këtij institucioni, Ilir Bajlozi tregoji për “Fiksin” se e njihte problemin dhe se për këtë arsye dy ish-punonjës janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori.

“Dëmi i shkaktuar qytetarëve është rreth 5 milionë lekë. Për këtë u kërkojmë falje qytetarëve, por me ish-punonjësit po merret Prokuroria. Ata kanë mashtruar qytetarët”, përfundoi Bajlozi.