Jemi larg pikës kur gota mund të derdhet, qeveritë nuk rrëzohen me…

Protestat  e opozitës është vetëm një mjet presioni, por mos prisni më shumë se kaq. Kështu mendon analisti Andi Bushati teksa ka folur në rubrikën “Opinion” në News24. “Edhe në botë po të shikosh dhe historia 30-vjeçare e Shqipërisë ka treguar që qeveritë nuk rrëzohen me protesta opozitare. Aq më tepër që shqiptarët i kanë provuar të gjitha palët. Protesta mund të jetë mjet presioni por jo mjet rrëzimi. Opozita mund të bëjë një mal me gjëra që nga mënyra se si sheh të shkuarën e saj.

Më 21 janar të gjitha skalionet e opozitës ishin të angazhuara, kurse kësaj radhe komplet në heshtje. Kjo opozitë nuk ka një qëndrim për historikun e PD. Ajo që ka të bëjë me të ardhmen dhe me shpresën, duhet t’i tregojë dhe t’i bindë shqiptarët që nuk kërkon pushtet por do vërtetë ndryshim dhe për këtë duhen garanci të mëdha dhe këtu mendoj që PD dhe LSI janë akoma shumë larg”, tha Bushati.

I pyetur nëse e do publiku një ndryshim, duke parë që Lëvizja Studentore mbeti brenda universiteteve, Bushati tha se ndërgjegjësimi ishte i madh duke u ndalur tek reagimi që solli. “Lëvizja studentore bëri shumë. Në qoftë se unë bëj mirë detyrën time, nuk kam ndonjë privilegj të madh që t’ju kërkoj të bëni mirë detyrën tuaj. Lëvizja studentore që akoma vazhdon e fortë na bëri të gjithëve të ndërgjegjësohemi që jemi një shoqëri me probleme të mëdha. Ishte lëvizja studentore, është përkthyer 2 javët e fundit në një lëvizje të gjerë të pedagogëve. Është e para herë që kaq masivisht njerëz që paguhen nga buxheti i shtetit kanë marrë guximin të kundërshtojnë qeverinë, të bëjnë projektin e tyre.

Bëri që një trupë njerëzish që paguhen nga administrata të heqin koracën e frikës. Arritjet nuk janë të vogla. Në qoftë se i përkthejmë të gjitha lëvizjet rrëzojnë dot apo nuk rrëzojnë Ramën më duket optikë e thjeshtëzuar. Rëndësi ka të reagojë shoqëria, të mësojë të reagojë. Protesta pati si rrjedhim reagimin e pedagogëve. Protesta e studentëve ishte protesta e zemërimit e një shtrese të iluminuar në krahasim me shtresat e tjera”, theksoi Bushati.

Lidhur me dyshimet se studentët u përçanë, Bushati tha se nuk ka lëvizje në botë që nuk ka pro dhe kundër. “Edhe kur studentët u ngritën në ‘90 për të rrëzuar regjimin, dolën nga ana tjetër vullnetarët e Enverit. Padyshim që do ketë”, tha ai. Bushati e mbyll me një konkluzion analizën e tij për çfarë po ndodh në vend dhe çfarë pritet. “Jemi larg pikës kur gota mund të derdhet, në kuptimin e një ndryshimi radikal, jo ndryshimi tjetër”, deklaroi ai.