Ka lidhje me Emiljano Shullazin/ Ja pse Rama nuk i plotëson dot kërkesat e studentëve

Nga Enton Abilekaj

Po bëhet e qartë arsyeja pse Edi Rama e futi Emiljano Shullazin në fushatën e zgjedhjeve në Universitete. Ai thjesht donte që të bënte për Universitetin më shumë se 8 pikat që kërkojnë studentët, duke emëruar Rektore, kryetaren e gruas socialiste. Meqë kjo strategji u ndërpre nga drejtësia e kontrolluar prej PD dhe LSI, ai tani dëshiron që protesta të vazhdojë, si alternativë e Shullazit.

Në fakt Kryeministri sheh një kurth tek 8 kërkesat e studentëve. Pa e përmendur, studentët praktikisht kërkojnë anullimin e ligjit për arsimin e Lartë. Ai ligj është në fakt koncentrati I asaj që qeveria ka bërë për arsimin. Rezultati është ky i sotmi. Kurthi është tek anullimi i ligjit që në fakt është anullimi i 3 viteve qeverisjeje, është anullimi i marrëveshjes së Ramës me pronarët e Universiteteve private në kurriz të studentëve të pamundur që duhet të mbushin buxhetin e Universiteteve, që kryeministri e ka shpërndarë tek privatët. Pse nuk mjafton buxheti për Universitetet, kur qeveria e ka rritur? Përgjigja është e thjeshtë, është shtuar numri i përfituesve, nuk janë vetëm publikët, por edhe privatët. Këtë biznes kërkon të anullojë protesta e studentëve. Nuk kërkohet rritje e buxhetit, por anullim i ndarjes për interesat e Kryeministrit dhe shpurës së biznesmenëve të tij.

Edi Rama nuk mund ta prishë kontratën me biznesmenët. Ai kërkon dialog, që të bëjë një calendar me shtrirje 3-vjecare (sa të kalojë dhe zgjedhjet e 2021) dhe t ‘i tejkalojë 8 pikat. U kërkon atyre që vuajnë të ftohtin e dimrit dhe ankthin e keqqeverisjes së tij, që, jo vetëm të mos e rrëzojnë për dëmet që u bëri, por ta ndihmojnë që të marrë në kontroll stafet akademike të Universitetit, me stilin e  Bashkëqeverisjes. Kërkon që me fuqinë e tyre të kthejë kryetaren e gruas së PS në rektorat dhe të kontrollojë edhe atë institucion që ka mbetur pjesërisht i pavarur. Për korruspionin dhe gradat pastaj, mjafton të shohësh sjelljen ndaj Lindita Nikollës me canta 5 mijë euroshe dhe deputetëve me doktoratura të vjedhura. Ata janë aty në foltore, duke u çjerrë për Rilindjen, pa ndërruar as garderobën, as aksesorët, as makinat, as doktoraturat. Asgjë të vjedhur nuk mundohen ta fshehin vetëm pak centimetra larg Kryeministrit që po premton pastrimin e botës akademike nga korruspioni dhe falsiteti.

Dialogu është mënyra që të mos zgjidhet asgjë. Si në shown me Qeverinë e Kosovës, për prej 5 vjetësh përsëritet cdo vit, me flamuj dhe me marrëveshje që vdesin sapo firmosen. Me studentët nuk duket se do veprojë si me qeveritë e Kosovës. Pa protestën ata nuk kanë aq shumë në dorë. Ai po tenton të bëjë me ta një marrëveshje të ngjashme me Taulant Mukën. T’i thërrasë në Bashkëqeverisje, ta ndryshojë drejtimin e stuhisë nga vetja tek kundërshtarët, pastaj t’i diskretitojë dhe t’i detyrojë të ikin nga Shqipëria. I vetmi ndryshim është se me Taulant Mukën iu desh vetëm një telefonatë, ndërsa me studentët nuk mjaftojnë as 10 mijë telefonata.

Prandaj po përdor mediat e veta, foltoren e Kuvendit, rrjetet sociale. Shndërrohet në hermafrodit në Instagram për t’i joshur, ndërsa nga ana tjetër i kërcënon, u heq dritat, me formulën klasikë të shkopit dhe karrotës. Nuk i do mediat mes tij dhe protestuesve, shpreson tek mungesa e përvojës dhe informacionit të studentëve, për të nënshkruar një kontratë “Taulant Muka”, ashtu sic komunikon direkt me të gjitha grupet sociale, që në më shumë se 5 vjet qerverisje, u ka dhënë më shumë varfëri, më pak shpresë, u ka treguar rrugët e botës për të zbrazur sistematikisht vendin.

Bashkëqeverisja me studentët, është një gënjeshtër e parealizueshme, pikërisht se programet e tyre janë të kundërta. Ndryshe nga Rilindja, studentët kanë treguar se nuk lëpijnë atë që kanë pështyrë për interesin e ditës, nuk e pranojnë aleancën e qelbësirave as për një qëllim të shenjtë. Edi Rama po vonohet ta kuptojë këtë, megjithëse Tirana është bërë grykëderdhja e pakënaqësisë dhe revoltës që vjen nga e gjithë shoqëria, nga të gjitha anët, duke rrezikuar ta marrë me vete Organizatën e Rilindjes./Lapsi.al

Lexo edhe: