“Kam larë shtëpinë me lot”, çfarë i paska ndodhur në amerikë këngëtares së njohur shqiptare

Një rrëfim emocional ka bërë këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore, Merita Halili e cila prej 23 vitesh jeton në Amerikë me familjen. Teksa ishte e ftuar në programin  “Rudina”, këngëtarja ka thënë se e merr shumë malli për Tiranën dhe njerëzit e saj.

“Më merr malli shumë për Tiranën, atje më mungon jeta që mund të bëja këtu, atje jemi më të kufizuar. Në Shqipëri sikur një kafe të pish, dikush të jep një ide, të ‘qan një hall’. Atje ka shumë fasadë, njerëzit nuk hyjnë në problemin tënd. Mbajnë distancë dhe janë të rezervuar.” Po ashtu ajo tregoi publikisht se fillimet e saj në vendin ku sot jeton, kanë qenë të vështira. Për të mos thënë që e ka përjetuar mjaft keq!

“Unë kam shkuar në Amerikë përpara 23 vitesh dhe 6 muajt e parë kam ‘larë shtëpinë me lot’. Nuk po ambientohesha dot dhe aq më tepër që më erdhi në jetë edhe vajza e dytë. Isha mësuar me njerëz që më ndihmonin, atje isha vetëm. Që në fillim, kur kam shkuar në Amerikë, e kam filluar aktivitetin me muzikë dhe për vajzat kemi sakrifikuar shumë. Ndonjëherë i merrnim me vete në koncerte, derisa, më në fund, gjetëm një grua shqiptare që kujdesej për to. E pata shumë të vështirë, gjuhën nuk e dija. Në vendin ku jetoja në fillim nuk ka pasur shumë shqiptarë, mund të kemi qenë 2 ose 3 familje”, pohoi këngëtarja.