Këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha përfundon në spital, ja gjendja e saj

Këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha ka përfunduar në spital gjatë natës, raportojnë mediat kosovare.

Sipas tyre, këngëtarja është transportuar në spital me autoambulancë. Lajmin për Telegrafin, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu. Ai tha se 85-vjeçarja këngëtarja ishte lënduar në shtëpi, pasi i kishte rënë një dollap.

“Zyra e informimit QKUK, ju konfirmon se pacientja N.P, ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve që ka marrë në shtëpi. Është dhënë ndihma mjekësore në kuadër të klinikës emergjente dhe është jashtë rrezikut për jetë. Janë duke vazhduar ekzaminimet tjera diagnostike në kliniken e radiologjisë në QKUK”, ka thënë Shpend Fazliu.

Ndërkohë gjendja e saj është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Këngëtarja Pagarusha gëzon epitetin “Bilbili i Kosovës”, kjo për shkak të karrierës së saj të bujshme si këngëtare e popullit. Së fundmi, ajo solli një duet me këngëtaren Violetë Kukaj-Retkoceri, këngën “Mbushni gotat”, me çka shënoi edhe rikthimin në muzikë pas një mungese të gjatë.