Lajmi i bujshëm për aeroportin e ri, gjithçka paska dështuar. Ja ç’po bën tani qeveria

Per aeroportin e Vlores tenderi do te zhvillohet nga fillimi, pasi bisedimet me kompanine turke kane deshtuar.

Ministria e Infrastrukturës njofton se afati i ligjit, që autorizonte qeverinë për negociimin e marrëveshjes me konsorciumin turk prej 3 kompanish që kishte paraqitur ofertë konkrete, ka përfunduar dhe nuk ka firmosje kontrate, ndërkohë që njëkohësisht po përgatitet një garë ndërkombëtare për këtë koncesion.

Në planet e qeverisë është që ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Aeroportit të Vlorës të jepet me koncesion për 35 vite. Interesi, sipas Ministrisë së Infrastrukturës është i lartë nga investitorët, ndërsa procesi i ri, që do të jetë një garë ndërkombëtare, do të përmbushë të gjitha kushtet ligjore dhe elementet e transparencës.

Procedurat e ndjekura dhe vet propozimi për koncesionin e aeroportit në Akërni të Vlorës patën shkaktuar shumë debate. Skema parashikonte një nivel dysheme të ardhurash vjetore, sipas një formule koncesioni të ngjashme me atë të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës. Nëse kjo e ardhur nuk arrihet nga shfrytëzimi i aeroportit, atëherë qeveria i paguante koncesionarit diferencën nga buxheti i shtetit.

Nuk dihet nëse konsorciumi turk, i përbërë prej “Cengiz Construction”, “Kalyon” dhe “Kolin Construction”, do të jetë pjesë e garës apo jo. Po ashtu nuk dihet nëse procedura e re e koncesionit do të përmbajë përsëri formulën e garantimit të të ardhurave mimale nga buxheti i shtetit.