Lista e zezë e SHBA-BE me pushtetarët që luftuan kundër Reformës në Drejtësi, ja kush “digjen” përfundimisht

Të gjithë këta personazhe janë mbajtur shënim dhe janë futur në rreth të kuq nga SHBA-BE

Javën e kaluar, burime diplomatike thanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë krijuar një listë të zezë me politikanë dhe zyrtarë shqiptarë, të cilët kanë luftuar kundër Reformës në Drejtësi. Për këtë arsye, kryeministri Edi Rama lëshoi disa mesazhe të koduara, duke nënkuptuar se Sali Berishës i kanë ndaluar hyrjen në SHBA.

Fronti kundër Reformës në Drejtësi në Shqipëri është udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta. Pas kësaj dysheje fshihen politikanë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët prej tre vitesh janë rreshtuar kundër reformës së udhëhequr nga SHBA-BE.

Pjesë e kësaj liste janë ish-Presidenti Bujar Nishani, gjatë kohës që drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Gjithashtu, kundër reformës janë rreshtuar edhe shumica e anëtarëve të KLD, ku kanë spikatur Gert Hoxha, Gjin Gjoni, Astrit Haxhiallushi, etj.

Në luftën kundër reformës kanë lënë gjurmë edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët me vendimet e tyre gjymtuan dhe masakruan disa nga ligjet e reformës. Të gjithë këta gjyqtarë, që nga kryetari Bashkim Dedja, dhe anëtarët Gani Dizdari, Fatos Lulo, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, janë shkarkuar nga detyra, me përjashtim të Vitore Tushës.

Pjesë e luftës kendër reformës janë bërë edhe dy deputetët Oerd Bylykbashi dhee Enkelejd Alibeaj, si dhe deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, të cilët kanë firmosur për ankimimin e ligjeve të reformës në Gjykatën Kushtetuese.

Gjithashtu, kanë lënë gjurmë në luftën kundër reformës gjyqtarët që iu bashkuan Gert Hoxhës për të ankimuar ligjet e reformës në Kushtetuese. Të gjithë këta personazhe janë mbajtur shënim dhe janë futur në rreth të kuq nga SHBA-BE për rolin e tyre në pengimin e miratimit dhe zbatimit të reformës më të rëndësishme në Shqipëri./Pamfleti