Marin Mema i prish “filmin” Ramës: Përkufizimet ndaj medias, absurde! Rama: Media është skandaloze!

Mbledhja e “Komitetit Kombëtar të Rindërtimit” ishte një mundësi shumë e mirë për Edi Ramën, për t’u zhytur në propagandë dhe t’u rrethuar nga persona që gëzojnë popullaritet tek qytetarët.

Kryeministri nuk ka kursyer sulmet ndaj mediave  me lajmet për tërmetin. Rama i ka quajtur ato “skandaloze” dhe “kriminale”.

Por kreu i qeverisë është kundërshtuar nga gazetari Marin Mema, i cili ndodhet në mbledhjen e Komitetit kombëtar i Rindërtimit. Mema i kërkoi Ramës të mos i quajë mediat si “skandaloze”, dhe të kërkojë përgjegjës dhe fajtorë të tjerë përpara se t’i gjejë te mediat.

“Media nuk është macja e zezë e asaj që ka ndodhur. Më duket sikur po kërkojmë fajin te media. Ndërkohë që ka shumë faktorë të tjerë dhe shumë njerëz të tjerë që janë përgjegjës. Media nuk është skandaloze ka problemet e saj, por nuk do lejoja këtu që të quhen kolegët e mi dhe mediat skandaloze. Media nuk është për të rritur zërin e qeverisë por për të pasqyruar zërin e gazetarëve. Media ka problemet e saj, por ne jemi këtu si zëri dhe syri i qytetarëve. Ne do t’i qëndrojmë deri në fund kësaj pike”, tha gazetari Marin Mema.

Por Rama nuk është tërhequr, jo vetëm “skandaloze”, ai i ka quajtur mediat “kriminale” duke përmendur disa shembuj si lajmi për “shembjen e spitalit të Durrësit”.

Rama tha se lajmet që përhapin panik mund të shkaktojnë një “bombë demografike”.

“Rrofsh, por pak më tolerant me opinionet e të tjerëve, se po del që është mbushur me diktatorë, media është skandaloze dhe nuk ka diskutim. Është një popull i tmerruar dhe ka njëmijë mënyra dhe 1 mijë kënde për ta vënë kamerën. Nëse ke sensibilitetin e momentit është që njerëzit duhet të marrin frymë. Kështu që mos u shqetëso për kategorinë por po ta them prap, media është skandaloze. Dhe s’ka lidhje kjo me futjen e të gjithëve në një thes.

Në këtë fazë, në këto ditë media është skandaloze dhe kriminale. Këtu bëhet fjalë për ekuilibra psikologjikë, kanë ikur me mijëra e mijëra njerëz nga terrori, në ato ekrane, në ato gënjeshtra, delirantizma, njeriu po thotë unë po iki fare se s’kam ça bëj këtu se është fundi i botës. Një shkëndijë këtu mund të krijojë një bombë demografike. Është kriminale po të them, të thuash që spitali i Durrësit po bie ndërkohë që muri u riparua të nesërmen”, tha Rama.