Nëse ndërruat shtëpinë keni 6 muaj kohë të deklaroni adresën, ndryshe…

Qytetarët që kanë ndërruar vendbanimet e tyre do të kenë 6 muaj afat për të deklaruar adresën e re, në mënyrë që t’i shpëtojnë gjobës prej 10 mijë lekësh.

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim propozimin e Këshillit të Ministrave për të pezulluar për një periudhë 6-mujore masën administrative, 10 mijë lekë për qytetarët që nuk deklaruan brenda afateve vendbanimin e tyre të saktë. Drejtori i Gjendjes Civile, Blerad Doracaj, deklaroi se pezullimi i gjobës është bërë për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve dhe për t’u dhënë kohë atyre të bëjnë regjistrimin në vendbanimet e reja.

“Nisur nga problematikat e shumta të hasura në zyrat e drejtorive të Gjendjes Civile në të gjithë vendin, Ministria e Brendshme i kërkoi Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit disa ndryshime që kanë të bëjnë me përmirësimin e shërbimeve në sportelet e Gjendjes Civile. Ndryshimet kanë në fokus përmirësimin dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.

Nisur nga shqetësimi i shumë qytetarëve që paraqiten në sportele, por edhe në Drejtorinë e Përgjithshme, kemi propozuar anulimin e masës administrative “gjobë” për një periudhë prej gjashtë muajsh për ndryshimin e vendbanimit. Që do të thotë se një numër i konsiderueshëm shtetasish banojnë de facto në një adresë të padeklaruar dhe de juro në një adresë tjetër. Ligji parashikon sot që të gjithë shtetasit që nuk bëjnë deklarimin e saktë brenda afateve ligjore prej 30 ditëve, marrin një masë administrative “gjobë” në vlerën 10 mijë lekë të rinj. Ne propozojmë që kjo masë gjobe prej 10 mijë lekësh të pezullohet për një periudhë prej 6 muajsh me qëllim që t’u japim mundësinë të gjithë shtetasve të regjistrohen në vendbanimin e saktë”, tha Doracaj.

Afatet
Ndryshimet e reja ligjore pritet të miratohen në javët e ardhshme, ndërkohë që pezullimi i masës administrative të gjobës do të jetë i vlefshëm për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019. Afati i fundit që qytetarët kishin për vetëdeklarimin e adresave të tyre ishte data 28 korrik e vitit 2017 dhe kushdo që nuk ka deklaruar adresën e saktë është përballur me masën e gjobës prej 100 mijë lekësh të vjetër.

Drejtori i Gjendjes Civile theksoi se zyrat e gjendjes civile do të jenë të hapura edhe përtej orareve zyrtare për të gjithë qytetarët që do të kërkojnë të bëjnë regjistrimin në adresat e reja. Doracaj shtoi se për këtë ndryshim, do të ketë edhe një komunikim intensiv në media për t’i bërë me dije qytetarët për afatet e reja.

“Ne mendojmë se afati prej 6 muajsh është i mjaftueshëm për t’u dhënë kohë qytetarëve. Sigurisht, do të duhet edhe një komunikim intensiv me qytetarët për t’i informuar në lidhje me këtë ndryshim apo në lidhje me këtë amnisti. Nëse do të ketë fluks qytetarësh që duan të regjistrohen në adresat e sakta të tyre, ne si Gjendje Civile do të punojmë me orare të zgjatura”, tha Doracaj. Deputeti i PS, Bledi Çuçi, i kërkoi drejtorit të Gjendjes Civile të pezullohen masat administrative ndaj qytetarëve duke vlerësuar si një detyrim për çdo individ që ndryshon vendbanim raportimin e adresës së re.

“Unë jam i parimit që nuk duhet të ketë fare masë administrative me gjobë për transferimin. Sepse është përgjegjësi e çdo shtetasi të deklarojë një adresë ku të ketë marrëdhënie me shtetin”, tha Çuçi. Gjithashtu, pritet që heqja e masës administrative të gjobës për ata që do të deklarojnë brenda afateve adresat e tyre, do të sjellë edhe një përmirësim të listave zgjedhore. /Panorama/