“Një mbetje e komunizimit…”, ja çfarë provash dërgoi në prokurori Gazmend Bardhi kundër Lleshajt

Dosja e kallëzimit për Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës nga organizatori i protestës së opozitës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Partia Demokratike pretendon se Policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve, në protestën e zhvilluar në orën 16:00 të ditës së shtunë. Pritet që Bardhi të dalë në orët në vijim në një njoftim për mediat.

“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht.”- thuhet në letrën shoqëruese te Sekretarit te Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Duke iu referuar pamjeve filmike që i disponon, Partia Demokratike vë në dukje se policia nuk e ka respektuar qëllimisht standardin e përdorimit të forcës në mënyrë proporcionale dhe të drejtuar vetëm kundër personave që kryejnë shkelje të ligjit.

Qëllimi i Policisë ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji. Pamjet filmike provojnë një veprim kriminal të punonjësve të Policisë së Shtetit, që sulmojnë me gaz edhe qytetarë që janë të shtrirë në rrugë për shkak të problemeve shëndetësore apo qytetarë që përpiqen t’u vijnë në ndihmë atyre. Kjo është qartazi, jo vetëm shpërdorim detyre, por edhe një tentativë për të rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve.”u shpreh  Sekretari i Përgjithshëm i PD.