Njihuni me çiftin shqiptar që marrin fitime të majme nga Instagram

Ata janë tre. Olta, Andi dhe Aura. Janë një familje e vogël, mjaft e bukur, që së shpejti do të bëhen katër, sepse Olta është në pritje të ëmbël. Gjithçka që ajo ka krijuar sot, lindi nga udhëtimet. Vende magjepëse, foto interesante, publikime në rrjetet sociale…, ndërthurur me njëra-tjetrën bënë që Olta pa kuptuar të niste një punë, në Instagram. Sot ajo fiton para vetëm duke publikuar foto në këtë rrjet social mjaft të pëlqyer kryesisht nga të rinjtë.

Andi, bashkëshorti i saj është i fokusuar në punën e tij si instruktor palestre. Ai ndjek trajnime e seminare jashtë vendit, për të perfeksionuar programet dhe për t’i personalizuar ato. Me ndihmën e Oltës, ai sot e konsideron edhe instagramin punë. Ky rrjet social i do njerëzit që duan të bukurën, perfekten, dhe i shpërblen. Dhe nëse për Oltën koha e impenjimit është e gjatë, Andi e ka fare të lehtë, sepse është ambasador vetëm i produkteve dhe markave që lidhen me palestrën.

Firma të njohura të huaja e kanë emëruar ambasadore. Ajo lidh kontrata me këto marka, merr e para linjën e produkteve, dhe për të gjithë ndjekësit e saj ofron një kod që mund ta përdorin për të përfituar ulje.

Duket sikur nga Instagrami mund të fitohen shumë para dhe shpejt, por nuk është kaq e lehtë. Olta tregon se kjo punë është më impenjative se një punë 8 orarëshe. Jo vetëm fiton, por edhe shpenzon, duhen gjetur lokacione, dhe sfonde që asaj i përshtaten për temën e saj të Instagrmit, sepse Instagrami ka rregulla që duhen respektuar, nëse dëshiron të afrosh markat e njohura te profili yt.

Nëse keni shumë ndjekës në Instagram, shumë pëlqime dhe komente, atëherë jeni njerëzit e duhur që reklamuesit kërkojnë. Dhe Nëse i kushtoni pak kohë, atëherë markat e njohura do të zgjedhin profilin tuaj të Instagramit për të reklamuar produktet e tyre.