Opozita “mbetet në këmbë”, pritet ndërhyrja e policisë për t’u marrë makinat e Kuvendit me forcë

Makinat e Kuvendit duket se ende nuk ajnë kthyer në vendin e tyre.

Prej 1 muaji, pas dorëzimit të mandateve, shërbimet e Kryesisë së Kuvendit, po kërkojnë nga ish-deputetët e opozitës të PD, LSI, PR e PBDNJ, të dorëzojnë vullnetarisht, makinat e shtetit që kanë në përdorim, por kërkesa me shkrim e mesazhe telefonike, nuk ka bërë efekt, ndërkohë që krye-parlamentari Gramoz Ruçi, nuk ka kërkuar ende ndihmën e policisë.

Përballë mos-bindjes civile të ish-deputetëve të opozitës së vjetër dhe detyrimit, për të pajisur me automjete pune, 30 deputetët e opozitës së re që kanë marrë mandatet dhe të tjerëve, që pritet të pranojnë mandatet, krye-parlamentari Ruçi, ka gjetur si “zgjidhje provizore”, evitimin e konfrontimit me ta dhe blerjen e makinave të reja.

Në shpalljen e datës 23 prill 2019, Kryesia e Kuvendit, ka njoftuar se ka akorduar 190 milionë lekë të vjetra, për blerje makinash zyrtare (vetura), të cilat, sipas burimit nga Drejtoria e Shërbimve të Kuvendit, do t’u jepen deputetëve të opozitës së re, që sipas statusit ligjor, po i kërkojnë me këmbëngulje.

Po sipas këtij burimi, “PAMFLETI” ka mësuar, se nëse deri në datën 31 maj 2019, opozita nuk i dorëzon vullnetarisht makinat zyrtare të Kuvendit, atëherë, krye-parlamentari Ruçi, do kërkojë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, për bllokim qarkullimi e marrje forcërisht të tyre.