Pas problemeve me drejtësinë, Vangjush Dakon e zë dhe një hall tjetër

Përveç problemeve me drejtësinë që i janë hapur kryetarit të Bashkisë Durrës vangjush Dako, në qytetin bregdetar kanë plasur edhe protestat.

Studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë protestuar sot për problemin me të madh mjedisor djegien e plehrave të qytetit një kilometër larg prej godinave ku studiojnë me orë të tëra.

Me thirrjen “Bashkohu” ata kanë ftuar të gjithë qytetarët e Durrësit t’i bashkohen protestës që ka nisur në orën 11:00. Ata janë shprehur se studimi është i pamundur kur nuk arrijnë të marrin as frymë.

“Rreth 1 kilometër nga Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës vazhdon prej vitesh djegia e mbetjeve e cila është kthyer në problemin numër një si për rreth 20 mijë studentë, ashtu edhe për stafin akademik.
Djegia e plehrave në Porto-Romano është, hapur në shkelje me ligjin, por sikur të mos mjaftonte kjo jetë njerëzish rrezikohen çdo ditë në këtë zonë. Jeta e studentëve që shumicën e kohës e kalojnë pranë Universitetit është seriozisht e rrezikuar nga mbetjet kancerogjene që digjen pa asnjë lloj kriteri, dhe jashtë çdo standardi”, deklaruan studentët.

Ata kanë bërë thirrje për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj situate ose përshkallëzimi i protestave do të jetë e pashmangshme.

“Jeta dhe shëndeti i qytetarëve, studentëve, stafit akademik dhe administratës është më e rëndësishme se të gjitha. Kjo kauzë është për jetën dhe askush nuk mund të vazhdojë më frekuentimin e këtyre ambienteve, pasi jeta jonë është në fije të perit”, u shprehën studentët.

“Ky vendgrumbullim duhet të ishte mbyllur në fakt që prej 2015-ës por sot e kësaj dite në shkelje të ligjit ai vazhdon të funksionojë duke na rrezikuar jetën çdo ditë. Nuk ka për ne si studentë të këtij universiteti se sa jeta dhe jeta nuk është politikë, as premtim dhe as vendim qeverie, ministri apo bashkie të këtij vendi. Ndaj ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje. Me anë të kësaj proteste gjejmë kohën për t’u bërë thirrje të gjithë institucioneve vendore që janë kompetente për këtë çështje, qeverisë dhe ministrisë së Mjedisit që të marrin masa urgjente për ndërprerjen e menjëhershme të derdhjes së plehrave në këtë zonë”, tha përfaqësuesja e studentëve.