Po bëhet gati “për të fituar” bashkinë, kjo është strategjia e Valdrin Pjetrit për të ardhur në krye të Shkodrës

Në rresht për një, në shërbim të fushatës elektorale. Ky është ultimatumi qe u ka dhene prefekti i Shkodrës drejtorëve rajonal. Kaq ka mjaftuar që të gjithë të çuditen se si me aksion, njëri pas tjetrit në ekrane po na shfaqen të gjithë titullarët e drejtorive, madje edhe ato qe nuk njiheshin dhe kishin krijuar formatin e anonimatit, ndonëse mbanin karrige me peshë.

Strategjia e Valdrin Pjetrit për të shkundur institucionet në Shkodër nuk ishte parë apo dëgjuar më herët, edhe pse shumë prefekt kanë shkuar e kanë ardhur duke ngrohur në shumicën e rasteve atë karrige. Por Pjetri e ka një arsye përse po e bën të gjithë këtë, duke “ç’pluhurosur” kostumin e zakonshëm të prefektit dhe duke qenë më trendi në komunikim apo inspektime.

Ai po bëhet gati për garën e bashkisë Shkodër pasi zyrtarisht Edi Rama ka zgjedhur ti besojë kandidimin, edhe pse një fakt i tillë vijon të mos bëhet publik. Sondazhet kanë nisur nga brenda PS bëjnë me dije burime për shkodranews dhe kuotimi i tij do të varet nga performanca. Natyrisht që kjo strategji nuk ka sesi të mos krijojë një shije aspak të mirë në opinion kur flitet për drejtorët qe me muaj kanë ngrohur karriget e kanë fjetur në zyra, madje edhe duke ikur pas muajsh të tërë pa ju njohur njeri fytyrën apo zërin.

Pas disa muajsh emërim i tillë ishte rasti i drejtoreshës së Aluiznit Tanushi, apo i kryeinspektorit të ISHMP, apo të tjerë që do të pasohen në ditët në vijim pasi daljet nuk kanë mbaruar. Nuk duhet të çuditemi që në një të ardhme të afërt për shkak të kësaj strategjie, drejtorët ti shohim live si kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit të tij në rrjetet sociale apo duke bërë komunikimin javor nga facebook-u.

Deri atëherë mbetet të presim paradën e radhës që do të ketë mazhoranca në sherbim të ëndrres së saj për ta fituar bashkinë e Shkodrës./ShkodraNews/