Pronarët nisin punëtorët në shtëpi, çfarë po ndodh me fabrikat e prodhimit

Punëtorët e shumë fabrikave të prodhimit në vend kanë marrë çantën për në shtëpi, pasi pronarët kanë ndaluar punën. Kështu ka ndodhur edhe me Zef Shtjefnin, prodhues tullash dhe pronar i dy fabrikave, njërës në Lezhë dhe tjetrës në Fushë-Krujë, është detyruar që në njërën prej fabrikave, atë të Fushë-Krujës, të ndalojë prodhimin.

Punëtorët i ka dërguar në shtëpi dhe ka nisur shërbimet e makinerive, pasi po punohet pa fitim: “Fitimi jonë shkon zero sepse euro nuk ka vlerë më. Në fillim të dhjetorit, kur u pa që nuk ka fitim dhe nuk ka mundësi për të eksportuar me ritmet e mëparshme, ndaluam prodhimin. Ndalimi i prodhimit do të thotë që punonjësit ikin në shtëpi, taksa shumë më pak për shtetin, ndalim i eksporteve sepse nuk mund të eksportojmë me këto çmime… Jemi të detyruar të ndalojmë qysh më 1 dhjetor, kemi kaluar në shërbime të makinerive të linjave. Është e kotë të prodhosh dhe t’i falësh pastaj”.

Shqipëria është eksportues neto i bimëve medicinale dhe aromatike. Xhevit Hynesaj, një prej prodhuesve më të mëdhenj, na thotë se nëse vazhdon kjo situatë, edhe viti 2019 do të jetë i vështirë. Edhe për eksportuesit e prodhimeve bujqësore goditja ka qenë e fortë, me 15% humbje. Ardian Çitozi, eksportues i cili ka lidhur kontrata me disa fermerë, shpreson që të paktën tani të ketë një stabilizim të kursit të këmbimit: “Janë rreth 7 hektarë tokë të mbjellë me shalqi, por neve nuk dimë se si do të shkojë puna. Shpresojmë që euro të mos ketë luhatje, që të ketë stabilitet sepse nëse ka stabilitet, atëherë edhe fermeri ndjehet i sigurtë, por edhe eksportuesi ndjehet i sigurtë”.

Problemet me rimbursimin e TVSH-së janë ana tjetër e medaljes për prodhuesit dhe eksportuesit. Zef Shtjefni shprehet: “Kemi 300 milionë lekë këtu në këtë fabrikë, plus te fabrika e Lezhës po ashtu, që shteti na ka borxhe”. Në rastin e prodhimeve bujqësore dhe sektorit të bimëve mjekësore, një ndryshim në paketën fiskale në lidhje me TVSH-në e inputeve bujqësore ka bërë që fermerët të mos kenë përfitime në rimbursim.