Publikohet raporti/ Rama u grind me Haradinajn dhe më pas shkarkoi Bushatin

European Stability Initiative (ESI), ka publikuar së fundmi një raport prej 35 faqesh mbi çështjen e Kosovës dhe qendrimet e aktorëve të interesuar për ndryshimin e kufijve. Instituti thotë se shkarkimi i Ditmir Bushatit erdhi pikërisht për këtë çështje.

“Kryeministri i Shqipërisë është grindur me Kryeministrin e Kosovës, Haradinaj për të ardhmen e Kosovës dhe më pas shkarkoi një ministër të Jashtëm të respektuar, i cili paralajmëroi për rrezikun e ripërcaktimit të kufijve në baza etnike”, shkruhet në faqen 21 të raportit.

ESI është një organizatë e specializuar për çështjet politike në Evropën Juglindore. Në raportin e saj ESI shkruan se BE-ja është e ndarë për sa i përket Kosovës, ndërsa Gjermani dhe SHBA-ja nuk e besojnë njëri-tjetrin në Ballkan.

Raporti kujton rezolutën e Parlamentit të Kosovës kundër Presidentit Hashim Thaçi, i cili pretendonte të angazhohej vetë drejtpërdrejt në bisedimet me Serbinë.

Sipas ESI, diskutimet për ndryshime kufijsh janë për Ballkanin kthim në të kaluarën.