Rama vjen të premten, ç’pritet të ndodhë sot tek PS Shkodër

Eshtë i vendosur të hyjë në zgjedhje dhe Edi Rama në përgatitje për këtë proçes në rrethet që po shkon, ka zgjedhur të prezantojë edhe kandidatët për kryetar bashkie. Të premten e 26 prillit në turin “Bashkia që duam” kryeministri do të mbërrijë në Shkoder, ku pritet zyrtarizimi i prefektit Valdrin Pjetri, si kandidat zyrtar i mazhorances për zgjedhjet e 30 qershorit.

Ardhja e Rames natyrisht në një qytet si Shkodra mbetet sfidë për shkak se në disa takime të tjera, protestat e opozitës kanë ndikuar që jo cdo gjë të shkojë sipas parashikimeve, e të ketë në momente të caktuara edhe anullim të sekondes së fundit.

Por ardhja e numrit një të qeverisë nuk mund të jetë një vizitë dosido dhe prandaj për tu përgatitur për këtë proçes, socialistet e Shkodres do të mblidhen në orën 19.00 të së martes, në një takim urgjent pune me të deleguarin e qarkut Ditmir Bushati, në mjediset e partisë. Pritet që të ketë jo pak debate në këtë mbledhje, jo vetëm për çasjen që qeveria ka patur me Shkodren, por edhe mbi kandidaturën e Pjetrit, që jo pak socialistë nuk pajtohen me këto zgjedhje të pakonsultuara më parë.

Mes të pakënaqurve me emrin e prefektit të ri si kandidat për Shkodren mësohet se është edhe Ditmir Bushati, të cilit Edi Rama i ka kërkuar të zgjedhe mes dy rrugëve, ose ta mbështese Pjetrin, ose të futet vetë në garë e ta fitojë Shkodrën.

Jashtë linjës nuk është vetëm Bushati, por edhe Senida Mesi që nuk shihet në asnjë takim me të majtit, qoftë në ditë festash, e qoftë në takime pune, apo analiza më të vogla që janë zhvilluar. Madje ajo është “zhdukur” në drejtim të paditur këtë periudhë. Duke qënë përpara faktit të kryer që Edi Rama ka bërë për Shkodrën, socialistëve nuk u mbetet gjë tjetër vecse të pajtohen me këtë gjë, ose të përballen me refuzim dhe perjashtim nga partia.

Duke qënë se për shumë prej tyre më e ngrohtë është karrigia, do të zgjedhin të luajnë lojën, e të paktën publikisht të japin aprovimin e tyre. Shumë pak detaje ndërkohë janë mësuar rreth ardhjes së Ramës të premten, por takimi do të mbahet në një nga sheshet kryesore të qytetit, aty ku ai do të sulmojë ashpër bashkinë Shkoder dhe kryetaren Voltana Ademi. Do të shpalosen gjithashtu një pjesë e projekteve që janë zbatuar dhe do të zbatohen në vazhdimësi për këtë qark. Pritet të shihet nëse Rama do ti rreshtojë deputetet krah Pjetrit dhe cila do të jetë porosia publike qe do tu japë!/ShkodraNews