SHKODËR 1913/ Dalin pamjet e rralla, shqiptarë të uritur, malazezë që festojnë e njerëz pa varr

Burra e gra me thasë në shpinë, të veshur keq, me rroba popullore, siç e donte koha, të rraskapitur, me fëmijë në duar, me kafshët me vete, duke ecur, mbase duke u shpërngulur nëpër një rrugë plot pluhur, ta pashtruar. Fëmijë të vegjël rreken të ndjekin hapat e të rriturve me torba në duar në të njëjtën rrugë ku dhimbja e frika i shtyjnë të ikin nga sytë këmbët.

Një batalion ushtarësh ecën pothuaj në parakalim, të tjerë ‘kanë veshur’ dy anët e rrugës, duke u hapur udhë kalimtarëve. Mes tyre, kalojnë edhe grupe ushtarësh që duhet të jenë banda e ushtrisë. Pas tyre flamurtari me flamurin që valëvitet, ushtarë me armë e kuaj të bardhë.
Copëza filmike shënon në gjuhën frënge: “Trashëgimtari i kurorës Danilo dhe princi Petar i Malit të Zi, zbresin nga kështjella pasi iu dorëzua shpata e Esad Pashës.
Është viti 1913 dhe pashai ka humbur luftën. Për shkak të urisë, ushtarët e tij e kanë të pamundur të vijojnë mbrojtjen dhe ai e dorëzon Shkodrën. Kjo është damka më shumë se 1 shekullore ndaj tij për ç’arsye ju vu shpesh nofka e tradhtarit dhe u ‘shpall’ armik.

Po në gjuhën frënge shënohet: DY FYTYRAT E FITORES: në një anë një flamur që valëvitet mes një grupi fitimtarësh të hareshëm dhe nga ana tjetër, një gropë varri ku kufoma që nuk njihen më po kalben krejtësisht nën diellin e pamëshirshëm.

Një filmim pa zë, bardh e zi, u gjet në Kinotekën e Malit të Zi në vitin 2008 dhe pas procesit të restaurimit në digjital dhe 35 mm në laboratorin “Hungarian Film Lab”, do të ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit si filmimi më i hershëm i fondit filmik të AQSHF-së. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpunim me ‘EYE Film Institute’, Kinotekën e Malit të Zi dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, mbajtën të mërkurën në orën 19:00 një kino-koncert me filmime arkivale të xhiruara në Ballkan në fillim-shekullin e njëzetë.

Me muzikë origjinale të kompozuar nga Adorel Haxhiaj, premiera e filmimit të restauruar “Dorëzimi i Shkodrës” (1913) u shoqërua me performancë ‘live’ nga Adorel Haxhiaj në cello dhe Astrit Stafai në oud. Gjashtë kronika të shkurtra bardhë e zi dhe të pikturuara me dorë janë pjesë të programit “Në kërkim të Perandorisë Otomane” dhe u përzgjodhën në bashkëpunim me kuratoren e filmit pa zë të Institutit të ‘Filmit EYE’ të Holandës, Elif Rongen-Kaynakci. Peizazhet unike vizuale të rajonit të Ballkanit, u ndoqën nga premiera e restaurimit të filmimit francez Pathé të vitit 1913, titulluar “Dorëzimi i Shkodrës”, me pamje të qytetit verior pas përfundimit të rrethimit gjashtë mujor të tij.
Një varkë me vela mbase mbi Bunë, gra të veshura me rroba popullore, çobaneshë e një e moshuar me furkë. Pak çaste më vonë, Shkodra bardh e zi, banorë që ecin përkrah xhamisë, kur në fund të kuadrit duket stoike Kisha e Madhe. Në fund, një malësor mbi kalë, me pushkën në dorë e sheh kamerën drejt e në objektiv- qenë imazhe të tjera mes filmimit.

Dorëzimi i Shkodrës është një prej ngjarjeve historike më të debatueshme në vendin tonë. Botime e studime të ndryshme historike i heqin sa edhe i vënë mbi supe faje, Esad Pashës, që pasi e mbrojti një kohë të gjatë e dorëzoi qytetin mes skamjes e urisë. Pamjet e sjella së fundmi që u shfaqen këtë të mërkurë, në një farë mënyre pohuan të dhënat e librit “Esad pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti” (UET PRESS) të Ilir Ikonomit i cili përmes dokumenteve shënonte se qe uria ajo që e bëri Esad Pashanë të dorëzohej.
“Nëse ke vetëm kaq për të thënë, më mirë kurseji fjalët! Është qesharake të ofrosh dyqind a treqind lopë për njëzet mijë njerëz që ushqehen keq prej një muaji. Është cinike të bësh këtë ofertë tani që i kam helmuar ushtarët e mi me kërmat e kuajve. Esadi tha se askush nuk mund ta mësonte se si ta kryente detyrën e tij.
– Kur them që dorëzimi është i domosdoshëm, – vazhdoi ai, – kjo do të thotë se kam pritur deri në çastin e fundit, përtej të cilit nuk mund të vazhdohej më pa cenuar dinjitetin dhe nderin tonë. Shihni si janë katandisur ushtarët. Nuk na ka mbetur asnjë thes miell. Racioni për sonte ishte një gjysmë peksimadhe dhe një grusht stafidhe. Kam dymijë të sëmurë dhe të plagosur nëpër spitale. Municionet e topave thuajse janë shteruar dhe një sulmi malazez nuk i përgjigjem dot më gjatë se 15 minuta me artileri. Nuk ju ka lezet të bëni patriotizëm në orën e fundit”,-qe shprehur Esad Pasha.

Lexo edhe: