Shpenzimet marramendëse të Kuvendit, 355 mln lekë për “blerje autoveture”. Parlamenti bëhet me TV

Jo pak por 355 milionë lekë buxhet për një autoveturë por tashmë dhe parlamenti do të ketë televizionin e tij.

Ndonëse një periudhë e shtrëngimit financiar, blerja e automjeteve mbetet një nga kërkesat më të shpeshta nga institucionet shtetërore, thuajse në çdo buxhet që paraqitet për miratim. Përjashtim nga kjo nuk bënë as Kuvendi i Shqipërisë, i cili në buxhetin e tij për vitin 2018 kishte parashikuar një zë të veçantë “blerje autoveture” në vlerën e 355 milionë lekëve.

Është vetë Shërbimi i Financës dhe Buxhetit në Kuvendin e Shqipërisë, ai që në relacionin mbi zbatimin e buxhetit të këtij institucioni për 4-mujorin e parë të këtij viti bën të ditur ndër të tjera dhe fondin e parashikuar për “blerje autoveture” në vlerën e 355 milionë lekëve. Në këtë relacion, siç shihet edhe në tabelën shoqëruese, nuk jepen shpjegime nëse bëhet fjalë vetëm për një autoveturë apo për disa të tilla, ndonëse nga mënyra e përkufizimit të zërit në këtë buxhet “blerje autoveture” lë të kuptohet se bëhet fjalë vetëm për një automjet. Ndërkohë që burime nga Kuvendi kanë pohuar se bëhet fjalë për 3 ose 4 automjete.

Në faqen zyrtare të Kuvendit nuk janë publikuar të dhëna të tjera lidhur me procedimin e kësaj blerje të parashikuar në buxhetin e Kuvendit, ndërsa ajo që dihet është se ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e këtij institucioni edhe në vitet e mëparshme, blerja e një automjeti për titullarin. Një kërkesë e tillë daton që nga periudha kur Kuvendi drejtohej nga Jozefina Topalli, por që për shkak të problemeve financiare, nuk ishte realizuar.

Kanali televiziv
Një tjetër zë i parashikuar në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2018 ishte edhe “projekt për ndërtimin e një kanali televiziv”. Sipas relacionit të Shërbimit të Financës dhe Buxhetit në Kuvend, fondi i parashikuar në buxhetin e këtij institucioni kap vlerën e 43 milionë lekëve. Në fakt, bëhet fjalë për një projekt të paralajmëruar edhe më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama dhe që ka për qëllim që t’u ofrojë lehtësira mediave të ndryshme që të marrin nga një regji e posaçme sinjalin e transmetimeve të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare. Rreth një vit më parë Kuvendi e cilësoi projektin si një zgjidhje përfundimtare që do t’u sigurojë mediave aksesin viziv për seancat plenare. Ndonëse disa media në atë kohë e kundërshtuan këtë projekt për shkak se ai mund të cenojë lirinë e tyre për të marrë vetë pamjet dhe informacionin direkt nga seanca dhe komisionet, projekte të ngjashme janë të pranishme thuajse në shumicën e parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian. /Gsh.al/