Shqiptarët po shkojnë në Perëndim për t’i mësuar Europianët se si sigurohet buka

Nga Zef Preçi

Dihet botërisht që për gati gjysmën e shekullit të kaluar, duke filluar nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria socialiste ka qënë “një fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut..” Dhe përfundoi aty ku e dimë të gjithë dhe askush në botën e asaj kohe dhe aq më pak sot nuk do të deshironte të kishte atë fat…

Mbas tri dekadash të “tranzicionit permanent” të filluar qysh shekullin e kaluar, Shqipëria socialiste e arriti përsëri lumturinë: gjithçka falas… Faaalaaas: Koncesione…,PPP…, rrugë…, borxh i jashtëm që njeh vetëm rritje, borxhe të prapambetura…, biznese që mbeten prapa…, taksa që njohin vetëm rritje…, ujë i papijshëm që paguhet sa “frëngu pulën”, energji që buron nga lumi dhe kushton sa 1/3 pensioni…, papunësi që “zbutet” rrugëve të Europs…, pensione dhe paga që mbeten në vend nominalisht dhe zvogëlohen sa i takon fuqisë blerëse…,kulla qiellgërvishtëse, që lartësohen sa kohë që ka para droge në qarkullim…, rritje ekonomike që nuk prodhon punësim e mirëqënie…

Të gjitha këto nocione të shkollës së vjetër, përballë “arritjeve dhe fitorjeve” tona. Presim raportin më të fundit të Bankës Botërore (me të dhënat që i kemi “gatuar ne), që t’i besojë edhe më skeptiku, dmth dhe ai që nuk ka bukë të hajë.

Të gjitha këto vijne nga buxheti “Falas” (kujdes: Edmond Tupja mund të thoshte “Fals” në Shqipërinë tonë “tmerrësisht demokratike”…).

Ndërsa europianet, që kanë mbetur pas me reformat, nuk arrijnë dot të kuptojnë lumturinë e Shqipërisë socialiste, prandaj shqiptarët marrin rrugët e botës perëndimore për të përhapur “përvojën e përparuar në sigurimin e bukës… jashtë vendit…”

(Reflektim ndërsa vazhdojne recitimet live në Pallatin e Pioniereve të … më falni, të Kuvendit).