Të gjithë po ankohen nga gripi i syrit, po çfarë është dhe ku rrezikoni të prekeni nga kjo sëmundje

Ka disa kohë që është kthyer në epidemi dhe mjekët dhanë alarmin se në vendin tonë po qarkullon një sëmundje që quhet keratokonjutiviti epidemik, ose gripi i syrit në gjuhën popullore.

Transmetimi kryesor është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtave me sytë.

Ky virus është mjaft rezistent dhe qëndron gjatë në mjediset që nuk pastrohen dhe dezinfektohen.

Pra virusi mund të gjendet kudo, por kryesisht mund të transmetohet në pishina, në vende ku kryhet make-up apo në institucione të kujdesit shëndetësor nga duart e personelit.

Shenjat kryesore janë:

Skuqje e të bardhës së syrit

Enjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës

Lotim i vazhdueshëm i shtuar

Shqetësim nga drita

Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin

Kruarje, irritim apo djegie e syrit

Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë

Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë

Si parandalohet:

Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun, dhe mësoni fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë, raporton Ata.

Kontrolloni nëse keni dikë me këtë sëmundje, lani duart menjëherë pas kontaktit me të, dezinfektoni me produkte që përmbajnë klor sipërfaqet e prekura prej tij apo lani menjëherë me ujë të nxehtë dhe dezinfektantë sendet apo veshjet e prekura prej tij.

Mos prekni sytë dhe mos i fërkoni ato kur jeni të sëmurë me këtë infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjendjen dhe e përhap atë edhe në syrin tjetër.

Mënjanoni përdorimin e sendeve personale si peshqirët, këllëfët e jastëkëve apo çarçafët dhe batanijet, produktet kozmetike sidomos ato që përdoren për sytë, syzet etj.

Mos përdorni lente kontakti kur keni shenja të këtij infeksioni derisa t’u thotë mjeku.

Mos përdorni të njëjtin produkt (medikamentet në pika apo pomadat) për syrin e shëndetshëm. Pra, kur mjekoni syrin e sëmurë, për të vendosur pikat ose pomadën tek syri tjetër lani mirë duart dhe përdorni një pomade apo solucion tjetër, pavarësisht se lloji i produktit është i njëjtë.

Pastroni mjediset publike dhe ato spitalore me dezinfektantë që përmbajnë klor, dhe kjo të kryhet vazhdimisht.