U shkarkua nga drejtimi i Kukësit, reagon Ernest Gjoka: Nuk do ta bëj unë intervistën, le ta bëjë…

Ernest Gjoka nuk është më trajner i Kukësit dhe duket një histori identike me atë të para dy viteve, kur u pushua nga puna se nuk kaloi dot Sheriff Tiraspolin, në një ndeshje të dominuar në Elbasan, me raste pa fund dhe penallti të gabuar nga Pero Pejic në minutat e fundit, edhe ai gabim që iu faturua Gjokës.

Duket si një vërtitje pa fund në rrethrrotullim për Kukësin, që prej dy vitesh ndërron trajnerë me një ritëm frenetik, pa pritur, pa gjykuar as lojën dhe pa menduar as për një projekt afatgjatë, sepse pas Gjokës pritet të largohen edhe lojtarë të tjerë.

Vetë trajneri i vetëm kampion me Kukësin nuk ka pranuar të flasë, edhe pse ndoshta do kishte plot për të thënë në një moment të tillë.

Gjoka, me një mesazh të shkurtër, u ka dhënë përgjigje gjithë gazetarëve që kërkonin prononcimin e tij.

“Intervistën time për punën që bëra te Kukësi këto 3 muaj nuk do ta bëj unë, po le ta bëjnë opinioni sportiv dhe gjithë tifozët kuksianë. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë, faleminderit”.

Ndërkaq, në faqen zyrtare të Kukësit në Facebook ka pasur komente pa fund nga tifozët dhe shumica janë ironike dhe ofenduese ndaj klubit, që është shumë larg asaj që mendohej se do bënte që nga koha kur fitoi titullin dhe festonte me mijëra kuksianë në Kukës. Tashmë kuksianët e shohin ekipin e vet vetëm në televizion…