Varësia ndaj kumarit. Të dhënat tronditëse, vetëm 1 në 10 persona fiton përballë vesit

Vetëm 10% persona arrijnë të fitojnë betejën e varësisë ndaj kumarit. Shifra nuk është optimiste në mbarë botën por në realitetin shqiptar edhe kjo shifër nuk ekziston, pasi mungojnë institucionet e trajtimit të këtij vesi. I ftuar në emisionin KafeIN Henri Telharaj i kërkon qeverisë të kthejë vëmendjen në betejën kundër varësisë së kumarit.

Ndërkohë që kanë mbetur vetëm 4 javë nga mbyllja e lojërave të fatit në Shqipëri, shifrat janë tronditëse për të gjithë ata që kërkojnë ndihmë, pasi janë të varur nga kumari. Rehabilitimi i kësaj kategorie është shumë i vështirë, ndërsa të dhënat nuk janë në favor të tyre.
Henri Telharaj:

“Gjëja më e vështirë është, që ai të marrë në kontroll jetën e tij. Është jashtëzakonisht e vështirë dhe në vendet evropiane, të cilat janë klinika të mirëfillta rehabilituese, përqindja apo statistika është 1 në 10 persona arrin ta marrë veten në kontroll. Është një statistikë vërtetë dramë, por të paktën secili duhet ta vrasë mendjen për të qenë ai 1 në 10 persona”.
Në Shqipëri ende nuk ka asnjë zyrë që ofron rehabilitimi qoftë private apo shtetërore, ndërsa shërbimi i parë duket se vjen online. I ftuar në studion e KafeIN, Henri Telharaj thotë se tashmë ka një mundësi asistence online për të gjithë ata që janë të varur nga kumari. Por kush është problemi më i madh në vendin tonë?

Henri Telharaj:
“Në Shqipëri nuk ka qendra rehabilitimi, qoftë këto me para apo falas. Së pari ky është hapi më i madh, duhet të pranohet! Problemi në Shqipëri është problemi i paragjykimit, sedra. Në çastin që njerëzit do të sfidojnë veten e tyre, të dalin jashtë kontekstit paragjykues, ata atje do fitojnë. Ata do fitojnë, se ata do të kërkojnë ndihmë”.

Ndërsa nismën e qeverisë për të ndaluar me ligj lojërat e fatit Telharaj e konsideron të cunguar.
Henri Telharaj:

“Mua personalisht më duket i cunguar, në faktin se është një vendim, që ia vlen për t’u përshëndetur, pasi industria e lojrave të fatit kishte marrë një përshkallëzim të jashtëzakonshëm. Siç e dimë ishin gati 2400 pika në Shqipëri, por lufta më e madhe që unë do sugjeroja të bënte qeveria është lufta kundër varësisë, jo lufta kundër industrisë së kumarit”.