Vllaznia zhytet në borxhe, ja sa mln lekë i detyrohet Tatimeve

Vijojnë problemet e klubit Vllaznia ndaj Drejtorisë së Tatimeve Shkodër. Borxhi ndaj kësaj drejtori është rritur dhe klubit shkodran i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga drejtori i kësaj drejtorie Hysen Hysaj.

“Borxhi është në rritje. Problemet me klubin Vllaznia vijojnë, por ne kemi marrë masat tona që na jep ligji. Kemi bllokuar të gjitha llogaritë bankare të klubit në bazë të ligjit. Bashkia Shkodër nuk ka asnjë pretendim ndaj nesh, por ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për çdo gabim nëse mund të kemi bërë. Qëllimi jonë nuk është të dëmtojmë Vllazninë.” – thotë Hysaj.

Por kush ka të drejtë ta falë këtë borxh të kuqebluve? Për këtë, drejtori Hysaj thekson:

“Kur bëhet falje tek bizneset, pasi edhe Vllaznia përfshihet te bizneset, bëhet me një vendim i miratuar në parlament nga qeveria dhe jo se falet për një biznes në veçanti.

Ligji miratohet për të gjitha bizneset dhe nuk mund të bëhet një ligj i veçantë për Vllazninë. Borxhi nuk është pronë e një ministri apo drejtori, por borxh i nje subjekti që nuk ka askush të drejtë ta fal.

Ky favorizim merret për të gjithë bizneset dhe nëse Vllaznia përfshihet në këtë listë, atëherë mund ti falet.”

Sipas burimeve pranë kësaj drejtorie, borxhi i klubit Vllaznia ndaj drejtorisë së tatimeve Shkodër arrin deri në 120 mln lekë të reja. /ShkodraNews