Voltana dhe tentativa për të fituar pikë në sytë e Bashës, kreu i PD drejt Shkodrës pas lëvizjes së fundit që nuk u prit aspak mirë

Të hënën pasdreke demokratët e Shkodrës do të presin Lulzim Bashën, i cili ka vendosur që në kuadër të turit të ri të takimeve pas 30 qershorit, të ndalet në bashkëbisedime me strukturat, për strategjinë e re që do të ndjekë opozita, tashmë pa asnjë lloj pushteti.

Mësohet se takimi do të mbahet në qendër me përfaqësues të kryesisë, ku pritet që në fokus të diskutimeve të jetë pikërisht strategjia që do të përdorë partia demokratike dhe aleatët për të mos lëshuar bashkitë që drejtojnë. Shkodra mbetet një prej bastioneve të forta, që PD e humb pas plot 30 vitesh, në një proces elektoral ku gara u zhvillua pa rivalë.

Edhe pse nuk ka detaje se si do të mbahen këto bashki, burime për ShkodraNews bëjnë me dije se kryebashkiakët së bashku me stafet e tyre nuk do t’i binden urdhrit për të lëshuar karriget.

Një prej strategjive që ka propozuar Voltana Ademi është e njëjta me veprimin që bëri në shkolla, të kyçë dyert e bashkisë dhe institucioneve të varësisë dhe përmes shkresave që citojnë dekretin e presidentit, që zgjedhjet janë në 13 tetor dhe 30 qershori ishte një proces ilegjitim.

Ajo është e vendosur të mos i lëshojë zyrën pasardhësit Valdrin Pjetri, e aq më pak ti shtrëngojë duart, në një kohë kur po luan çdo gur për të fituar pikë në PD, e për të qenë në sytë e Lulzim Bashës.

Mbetet për tu parë se cilat do të jenë porositë e kryedemokratit, i cili natyrshëm me gjithë luftën e madhe politike, nuk është në ditët më të mira, për shkak të shuplakës që i kanë dhënë ndërkombëtarët me qëndrimet radikale.

E duket se Basha duke kuptuar rëndësinë e ditëve që po vijnë, veçanërisht për opozitën, 48 orë përpara ardhjes në Shkodër bëri edhe lëvizjet e radhës, duke larguar të deleguarin Flamur Noka drejt Elbasanit e duke i sjellë metropolit verior sekretarin e përgjithshëm Gazmend Bardhin.

Se sa do të mirëpritet kjo lëvizje e Bashës nga demokratët Shkodranë mbetet të shihet, por sinjalet e para nuk janë pozitive dhe aq më shumë kur kjo forcë politike ka nevojë për tjetër frymë e figura, e jo personazhe që nuk kanë një “pushtet” politik dhe as ndonjë imazh të konsoliduar në selinë blu. /ShkodraNews